fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Haskuka i nxjerr nga zyrat partitë politike

Partitë politike në Prizren e kanë konsideruar këtë si shantazh dhe pamundësi për të realizuar aktivitetin politikë

Publikuar

Komuna e Prizrenit, ka obliguar të enjten të gjitha partitë politike që t’i lirojnë zyrat e tyre, meqë si pretendon komuna, ato janë pronë komunale, ndërkohë, ndonëse e kanë respektuar vendimin, partitë politike në Prizren e kanë konsideruar këtë si shantazh dhe pamundësi për të realizuar aktivitetin politikë.

Kryetari i PDK-së për Prizren, Shaqir Totaj, ka thënë se pushteti lokal i VV-së dhe Haskukës në Prizren në mes të pandemisë dhe në fillim të muajit të shejtë të Ramazanit me dhunë nxjerr jashtë zyreve të gjitha partitë politike.

“Pa  pasur fare konsideratë për kontributin e tyre nder vite si dhe për zhvillimi e demokracisë në qytet, pushteti lokal i VV dhe Haskukës në Prizren në mes të pandemisë dhe në fillim të muajit të shejtë të Ramazanit me dhunë nxjerr jashte zyreve të gjitha partitë politike”, ka thënë Totaj.

Poashtu lidhur me këtë kanë reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Prizren.

Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni u shpreh se nuk ndjehet mirë me mbylljen e zyrës, por se i respektojnë vendimet.

“Nuk ndjehem mirë as unë as të gjithë ata qytetarë që me vite e kanë frekuentua këtë zyre. Fakti që po mbyllet kjo zyre do të thotë që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, ndaj tyre po ushtrohet një lloj presioni apo shantazhi që tu pamundësohet aktiviteti partiak dhe politik. Por pavarësisht kësaj ne i respektojmë vendimet sepse e kemi kulturën shtetërore dhe institucionale”, u shpreh Quni.

Ai tha se qytetarët tash janë të bindur se çfarë do të thotë kur pushteti centralizohet.

Asamblisti i AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj ka thënë se këto zyre nuk janë pronë e komunës, por se kanë respektuar vendimin.

“Kjo nuk është pronë  e komunës, por ne e kemi respektuar vendimin dhe e kemi liruar zyrën. Për procedurat tjera do të shihemi në gjykatë”, tha Baldedaj.