fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Gjykata Kushtetuese vendos rihapjen e seancës plenare për Butrintin

Publikuar

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri vendosi rihapjen e seancës plenare për Butrintin, duke njoftuar se i ka kërkuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore të vërë në dispozicion raportin final të misionit të përbashkët të UNESCO-ICOMOS-it, të tetorit të vitit 2022.

Gjykata Kushtetuese thotë se “me qëllim administrimin në gjykim të këtij raporti, duke qenë se ka rëndësi për cështjen në shqyrtim, me vendimin e ndërmjetëm të 31 janarit të këtij viti ka vendosur riçeljen e seancës plenare dhe vijimin e zhvillimit të saj mbi bazë të dokumenteve”.

Gjykatës Kushtetuese thotë se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore pas kërkesës së saj për informacion ka konfirmuar se Raporti i UNESCO/ICOMOS-it i është dërguar këtij institucioni dhe është administruar prej tij.

Avokati Agron Alibali, përfaqësues i grupit të deputetëve kërkues opozitarë, tha për Zërin e Amerikës se vendimi i fundit për rihapjen e seancës plenare dhe kërkimi i raportit të organizmave të UNESCO-s është sa i mirëpritur aq edhe i pashembullt në praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi i mbledhjes së gjyqtarëve demonstron në rastin konkret maturi, durim e mençuri, pavarësisht nga sjellja jotransparente e subjekteve të interesuara apo trysnia për ta ngutur gjykatën në vendimmarrje”, tha zoti Alibali.

Zeri Amerikes ka mësuar se raporti final mbi misionin e UNESCO / ICOM-it në Butrint në tetor të vitit 2022 nuk është publikuar në faqen zyrtare të UNESCO-s pasi pala shqiptare nuk dha autorizimin.

Më 27 Janar të këtij viti Zëri i Amerikës i kërkoi Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Ministrisë së Kulturës dhe Misionit të Shqipërisë pranë UNESCO-s në Paris vënien në dispozicion të Raportit të misionit të UNESCO-ICOMOS-it për Butrintin, por deri në përgatitjen e këtij lajmi nuk ka marrë ende një përgjigje.

Qeveria shqiptare vendosi menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nga një Fondacion të krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook