fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Gjermania: I takon Kosovës të vendos për kohën kur aplikon në BE

Nga Ambasada e Gjermanisë theksojnë se sigurisht që duan që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimi Evropian, por theksojnë se anëtarësimi i Kosovës në BE kërkon edhe përparim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit meqë do të jenë pjesë e procesit të anëtarësimit.

Publikuar

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë thënë se i takon Kosovës të vendos se kur është koha e duhur për të bërë aplikimin formal, por thonë se duhet pasur në konsideratë faktin që pesë shtete të BE-së ende s’e kanë njohur Kosovën si shtet dhe kjo paraqet një pengesë serioze në procesin e anëtarësimit.

“I takon Kosovës të vendos rreth asaj se kur është koha e duhur për aplikimin formal. Por është e nevojshme të merret në konsideratë se është fakt që pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Kjo do të përbëjë një pengesë të konsiderueshme për procesin e anëtarësimit”, kanë thënë për Express nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Nga Ambasada e Gjermanisë theksojnë se sigurisht që duan që Kosova të bëhet anëtare e Bashkimi Evropian, por theksojnë se anëtarësimi i Kosovës në BE kërkon edhe përparim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit meqë do të jenë pjesë e procesit të anëtarësimit.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Ne dëshirojmë që Kosova të bëhet anëtare e BE-së. Qeveria gjermane e nënvizon qartë këtë perspektivë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në BE kërkon përparim të mëtejshëm, duke përfshirë reformat në fushën e sundimit të ligjit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi ato do të jenë pjesë e procesit të anëtarësimit. Ato gjithashtu do të japin perspektiva për njerëzit e rajonit dhe do të përmirësojnë kushtet për investime dhe rritje ekonomike”, thuhet në përgjigje.

Përveç këtyre,  potencojnë se është esenciale edhe që të arrihet progres në dialogun me Serbinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Duke pasur parasysh të gjitha këto, arritja e përparimit në Dialog drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë është thelbësore. I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, kanë theksuar nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Se Kosova duhet të bëjë përparim në dialog dhe më pas të merret me çështjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkim Evropian e kishte thënë gjatë vizitës së saj të parë në Prishtinë edhe kryediplomatja gjermane, Analena Baerbock. Shefja e diplomacisë gjermane kishte thënë se para aplikimit për anëtarësim vjen dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 7 mars 2022 kishte treguar synimin e Kosovës rreth aplikimit për statusin e vendit kandidat.

“Ne kemi thënë qe këtë do ta bëjmë sivjet dhe zhvillimet e reja gjeopolitike me siguri që na imponojnë një përshpejtim, por nuk kemi një datë se kur do të mund të themi që do të aplikojmë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe as për Këshillin e Evropës. Besoj që përcaktimi i një date tash nuk do t’u ndihmonte përgatitjeve tona dhe do te ishte objektivisht i pamundur për shkak se ka shumë punë që të arrijmë në atë pikë e në të cilën megjithatë duhet të ecim sa më shpejt që mundet”, kishte thënë kryeministri Kurti më 7 mars të këtij viti./GazetaExpress/

Vazhdo më shumë