fbpx
Lidhu me Ne!

Kulturë

Filmi për gjenocidin në Srebrenicë nominohet për Oscar

Publikuar

“Quo Vadis, Aida?”, film i regjisores nga Bosnje e Hercegovina, Jasmilla Zhbaniq, u nominua për Çmimin Oscar, në kategorinë për filmin më të mirë jashtë botës anglishtfolëse, njoftoi të hënën Akademia amerikane e Filmit. Filmi flet për gjenocidin në Srebrenicë dhe është i pari me metrazh të gjatë që trajton këtë temë. Ngjarja zhvillohet në korrik të vitit 1995 dhe personazhi kryesor është Aida – një përkthyese për Kombet e Bashkuara – e cila përpiqet të shpëtojë familjen e saj, pasi ushtria e Republikës Sërpska merr kontrollin e Srebrenicës.

Forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, në vitin 1995. Regjisorja e filmit, Zhbaniq, thotë se “Quo Vadis, Aida?” bazohet në fakte, te të cilat ajo ka arritur duke lexuar dëshmi dhe libra, duke parë video, si dhe duke biseduar me ekspertë dhe dëshmitarë, shkruan Evropa e Lirë. Mbi 90 vende të botës kanë mundur të aplikojnë për kategorinë e filmit më të mirë jashtë botës anglisht folëse.

Në këtë kategori tashmë janë nominuar edhe filmi danez “Another round”, filmi nga Hong Kongu “Better days”, filmi rumun “Collective” e të tjerë. Çmimet Oscar do të ndahen më 25 prill. Bosnje e Hercegovina tashmë ka fituar një Oscar me filmin “Toka e askujt”, të regjisorit Danis Tanoviq, i cili në vitin 2001 është shpallur filmi më i mirë i huaj./tg/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: [email protected] | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021