fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

EVROPA SËRISH NË EPIQENDËR TË PANDEMISË

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vendet që kanë imunizuar më shumë se 40% të popullsisë së tyre, duhet t’iu dhurojnë doza vendeve në zhvillim, që ende nuk u kanë ofruar qytetarëve të tyre as dozën e parë.

Publikuar

Evropa është sërish në epiqendër të pandemisë së koronavirusit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zyrtarë të lartë të saj thanë se kontinenti ka parë rritje prej më shumë se 50% të numrit të rasteve me koronavirus, muajin e fundit, duke e bërë atë epiqendër të pandemisë, pavarësisht furnizimit të bollshëm me vaksina.

“Mund të ketë shumë vaksina në dispozicion, por marrja e vaksinës nuk ka qenë e barabartë”, tha shefi i emergjencave në OBSH, Michael Ryan.

“Përvoja e Evropës është shenjë paralajmëruese për botën”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vendet që kanë imunizuar më shumë se 40% të popullsisë së tyre, duhet t’iu dhurojnë doza vendeve në zhvillim, që ende nuk u kanë ofruar qytetarëve të tyre as dozën e parë.

“Nuk duhet të jepen më doza përforcuese, përveç njerëzve me imunitet të komprometuar”, tha Tedros.

Një punonjëse në stadiumin Erika-Hess që shërben si qendra e dytë e vaksinimit kundër koronavirusit të ri në Berlin.

Më shumë se 60 vende kanë filluar të japin doza përforcuese, për të ndaluar rënien e imunitetit përpara dimrit, kur pritet një valë tjetër e koronavirusit. Në Shtetet e Bashkuara, fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç kanë filluar këtë javë po ashtu imunizimin.

Drejtori për Evropën i OBSH-së, Hans Kluge, tha se numri në rritje i rasteve me koronavirus në rajon paraqet “shqetësim të madh”.

Ai tha se normat e shtrimit në spital janë dyfishuar javën e kaluar.

“Evropa është kthyer në epiqendrën e pandemisë, aty ku kemi qenë një vit më parë”, tha Kluge.

OBSH-ja për Evropën tha se rajoni numëron afro 1.8 milion raste të reja javore – një rritje prej rreth 6% nga java e kaluar, dhe 24,000 viktima javore, që nënkupton rritje për 12%.

Kjo është java e pestë me radhë që numri i të infektuarve në Evropë rritet. Sipas OBSH-së, kontinenti është rajoni i vetëm në botë ku infeksioni ende rritet.

“Ne jemi qartazi në një valë tjetër”, tha epidemiologu kryesor i Suedisë, Anders Tegnell.

“Përhapja në rritje është tërësisht e përqendruar në Evropë”, shtoi ai.

Edhe Fergus Sweeney, nga Agjencia Evropiane e Barnave, tha se situata epidemiologjike në Evropë është shumë shqetësuese dhe se kontinenti po hyn në dimër me rritje të shkallës së infeksionit dhe të shtrimeve në spital.

Muajve të fundit, shkalla e vaksinimit është ngadalësuar në të gjithë kontinentin.

Rreth 80% e njerëzve në Spanjë janë vaksinuar plotësisht, por ky numër është më i ulët në Francë dhe Gjermani – 68%, përkatësisht 66% – dhe akoma më i ulët në disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore. Vetëm 32% e rusëve kanë qenë të vaksinuar plotësisht deri në tetor.

“Nëse nuk marrim kundërmasa tani, kjo valë e katërt do të sjellë akoma më shumë vuajtje”, tha Lothar Wieler, nga Instituti i Shëndetit në Gjermani “Robert Koch”.

Gjermania ka raportuar të enjten afro 34,000 raste të reja me koronavirus – shifër e paparë për këtë vend, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar.

Në mesin e shumë gjermanëve që nuk janë të vaksinuar, janë më shumë se tre milionë të moshës mbi 60 vjeç, që konsiderohet se janë në rrezik të veçantë.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021