fbpx
Lidhu me Ne!

Sport

ELITE SHOW/ Daja: E vërteta e interesimit të Kosovës, këtu ka më shumë edukatë pune

Publikuar

Në një lidhje direkte me emisionin “ELITE SHOW”, çdo të hënë në SportNews (21:00) nën moderimin e Gjergji Stefës, Ilir Daja, trajneri i Ballkanit, u shpreh:

U ndala rrugës që të lidhesha me ju, komplimente juve të SuperSportit. Fitimi i titujve janë ditë të veçanta në karrierën e trajnerit, ashtu ka qenë edhe për mua.

Por kalimi në ‘play-off’-et europiane janë qershia mbi tortë. I kam përjetuar të gjitha në maksimum, ky përjetim, si titujt me Ballkanin, më mban në tonus dhe në atë përkushtim që kam. Edhe sot pas 29 vitesh. 

Lexo edhe: 

Kualifikimet në Europa League dhe Conference League, janë gjërat më të veçanta në karrierën time. Pa mohuar edhe sukseset e tjera, si kualifikimi ndaj Dinamos së Zagrebit me Skënderbeut në ‘play-off’-in e Europa League.

Në 20 minutat e fundit, duke shtuar edhe 5 minutat shtesë, ne luajtëm me një lojtar më pak. Përpara golit në Zagreb, u anulua edhe një gol i rregullt i Latifit. Nuk kishte VAR, do shkonim në avantazh 0-2.

Superiorja? E kam ndjekur shumë pak. Pashë derbin Tirana-Partizani. Impenjimi gjatë kësaj periudhë ka qenë i jashtëzakonshëm. Kemi patur ndeshje gati çdo tri ditë. Prezenca e Dinamos në Superiore, shton një derbi tjetër. Është ekipi i dytë pas Tiranës sa i përket titujve të fituar në Shqipëri.

Interesimi i Dinamos? Ka të vërteta dhe gjëra të shtuara. Kemi patur një kontakt në distancë, duke respektuar edhe kontratën me Ballkanit, që nuk ishte e rinovuar.

Dinamo është klubi ku kam kaluar më shumë në karrierë, si futbollist dhe trajner. Shpresoj që një ditë të rikthehem, te Tirana, Dinamo ose Partizani. Nuk mund të rikthehem tek të tria, por është kënaqësi të drejtosh secilën prej tyre.

Ndeshja në Air Albania? Stadiumi i gjithë shqiptarëve, të ofron kushte maksimale për të zhvilluar një spektakël në maksimumin e vet. Kënaqësi të luajmë aty. Ndikoi prishja e terrenit në ‘Fadil Vokrri’, fushë ku kemi patur mbështetje dhe rrugëtim të suksesshëm.

 

Shpresoj të mos na mungojë mbështetja e tifozëve në ‘Air Albania’. Rrugëtimi ynë është edhe rrugëtimi i klubeve shqiptare. Stadiumi i mbushur do të jetë një motiv i madh për lojtarët e Ballkanit.

Ballkani dhe Korça janë dy ambiente shumë të mira për të punuar. Lojtarët në Kosovë kanë një edukatë punë më të madhe se në Shqipëri, por nuk kam patur kurrë probleme me lojtarët. Në Kosovë janë më të durueshëm dhe më të dëgjueshëm se në Shqipëri.

Posti i trajnerit të Kosovës? Kam qenë trajneri i ekipit kombëtar të moshave në fillimet e mia si trajner. Nuk kam ofertë zyrtare, më shumë janë lajme që dalin nga portalet. Zyrtarisht, unë nuk kam asnjë kontakt me asnjë prej drejtuesve të FFK-së. Nuk dua të krijoj alibi. Akoma më pëlqen të jem trajneri i një ekipi. Të stërvis dhe të kem garë në përditshmëri.

Sylvinho? Ka marrë maksimumin dhe ka qenë një faktor në dërgimin e Kombëtares në Europian. Ka bërë punë të shkëlqyer, sidomos në përzgjedhje. Por edhe në menaxhimin e grupit, kjo është një nga gjërat kryesore që ka ekipi.

Ka bërë lojë të kujdesshme në mbrojtje në aspektin tekniko-taktik, dhe ka marrë maksimumin prej lojtarëve”, përfundoi Daja.

I vetmi trajner shqiptar kampion me 4 ekipe të ndryshme (Elbasani, Dinamo, Skënderbeu, Ballkani) dhe i vetmi me dy kualifikime europiane. Në grupet e Europa League me Skënderbeun dhe dy herë në grupet e Conference League me Ballkanin e Therandës.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook