fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Ekonomia prioritet, jo zgjedhjet

Fokusi i qeverisë do të duhej të ishte në marrjen e vendimeve të cilat rikthejnë këto kompani në treg dhe të papunët në vendin e punës.

Publikuar

Ekonomia e Kosovës, ndërkohë, ka shënuar humbje gjatë kohës së pandemisë. Si pasojë e COVID-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit të publikuar në shkurt të këtij viti, ka vlerësuar se Kosova në vitin 2020 ka shënuar rënie të ekonomisë deri në 6 për qind. Papunësia në Kosovë, sipas shoqatave ekonomike është rritur. Sipas të dhënave të Aleancës Kosovare të Biznesit gjatë kohës së pandemisë mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e tyre të punës dhe kanë falimentuar rreth 20 mijë biznese të sektorëve të ndryshëm.

Kryetari i kësaj shoqate, Agim Shahini thotë për Radion Evropa se fokusi i qeverisë do të duhej të ishte në marrjen e vendimeve të cilat rikthejnë këto kompani në treg dhe të papunët në vendin e punës.

“Çdo ligj është i rëndësishëm për shtetin dhe vendin, por në këtë situatë në të cilën gjendet Kosova asgjë nuk është më e rëndësishme sesa ekonomia dhe shëndeti publik. Kosovës i duhen Ligje për rimëkëmbje ekonomike e investime të huaja dhe marrja e fondeve për mbështetje të ekonomisë dhe vaksinimi i qytetarëve që të rikthehet edhe ekonomia”, tha ai.

Bizneset në vazhdimësi janë ankuar se Qeveria e Kosovës ka ndihmuar shumë pak biznesin që të kalojë krizën.
Deri më tani Qeveria e Kosovës ka shpërndarë për sektorin privat vetëm 22 milionë euro. Kjo shëprnadrje ëshët bërë nga fondi 222 milionë eurosh, fond ky në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Gjatë kohës së pandemisë, ekspertë të fushës së arsimit, kanë vlerësuar se sistemi arsimor nuk po arrin të realizojë objektivat e duhura. Përveç nxënësve, nga fillimi i viti shkollor 2020/2021, me koronavirus janë infektuar 2.641 mësimdhënës (të dhëna të datës 2 mars). Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, që punëtorët e arsimit t’i kenë si prioritet për t’i vaksinuar me vaksinat kundër COVID-19.

Por, vaksinimi për mësimdhënësit ende nuk ka filluar. Hana Xhemajli, specialiste për hulumtime të politikave globale shëndetësore, thotë se vaksinimi i popullatës duhet të jetë prioritet i Qeverisë.

“Nëse ne nuk e bëjmë prioritet vaksinimin, qoftë blerjen e saj apo marrjen donacion ne kemi dështuar shumë pasi që pandemia ka filluar në një valë të re. Derisa, disa vende po përballen më mbyllje totale ne nuk ndërmarrim asgjë”, thotë Xhemajli.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 1 prill ka bërë të ditur se patjetër duhet të ndërmerrën masa që të ulet lakorja e të infektuarve, sepse siç ka thënë ai ‘seriozisht janë duke i rrezikuar kapacitetet spitalore, të cilat janë buzë limitit’.