Sport
Egnatia përmbys Kukësin, e vetme në krye

Egnatia përmbys Kukësin për të marrë një tjetër fitore të rëndësishme në ”Abissnet Superiore.” Skuadra rrogozhinase triumfoi 2-1 ndaj verilindorëve në takimin hapës të javës së 11-të për t’u konfirmuar provizorisht në vendin e parë të tabelës së klasifikimit.
Kukësi i Stavri Nicës e nisi më mirë takimin në Rrogozhinë e si rrjedhojë realizoi në minutën e 26′. Salami shfrytëzoi në maksimum një top në thellësi dhe, kur të gjithë prisnin goditjen, shërbeu bukur për La Torren, që u tregua i saktë përballë portierit.
Reagimi i Egnatias nuk vonoi dhe erdhi në minutën e 35′, me Fernandon që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë për të çuar shifrat në 1-1. Rivas shkaktoi një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Fangajt ndërsa tentativa e Fernandos u ndal në trekëndësh.
Lexo edhe:
Goli i dytë i Egnatias erdhi nëpërmjet një goditjeje spektakolare të Spahiut nga distanca në minutën e 56′. Mesfushori përfitoi nga një pasim i Raphael Dwamenws për të përmbysur shifrat në fushën e lojës për ekipin e tij rrogozhinas.
Egnatia administroi shkëlqyeshëm epërsinë 2-1 deri në vërshëllimën finale dhe rikthehet kështu tek fitorja pas barazimit të fundit ndaj Skënderbeut.
Të besuarit e Edlir Tetovës kryesojnë për momentin kampionatin në vendin e parë me 23 pikë, por Partizani i vendit të dytë me 20 pikë ka dy ndeshje më pak.
Nga ana tjetër, Kukësi ndalet pas dy fitoreve radhazi dhe mbetet në vendin e pestë me 13 pikë.
