fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Dy identifikime të eshtrave të zhvarrosura në Kizhevak

Është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive.

Publikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka pranuar informacione se eshtrat e zhvarrosura vitin e kaluar nga një varrezë masive në Kizhevak të Serbisë, e që më pas janë dërguar për analizë të ADN-së, u përkasin viktimave të luftës në Kosovë. “Deri më tani ka dy identifikime të reja, për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar”, tha Kurti përmes një postimi në Facebook.

“Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak”, shtoi Kurti, derisa përkujtoi masakrat e Kralanit dhe Rezallës në 22-vjetorin e tyre.

Gërmimet në varrezën masive të Kizhevakut, pranë Rashkës, janë bërë në fund të vitit të kaluar.
Atje janë gjetur mbetjet mortore të 4-5 personave.

Atëbotë, autoritetet kanë thënë se kërkimet në Kizhevak do të vazhdojnë në vitin 2021, pasi të përmirësohen kushtet e motit.

“Është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive”, tha të hënën Kurti.

“Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë”, theksoi ai.

Aktivistët dhe familjarët mbajnë në duar emrat e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Dy identifikime të reja nga Kizhevaku, në përvjetorët e Kralanit dhe Rezallës
Për çdo ditë përkujtojmë masakrat e para 22 viteve. Dje u mbushën 22 vjet nga masakra e Kralanit, kurse sot 22 vjet nga masakra e Rezallës. Në masakrën e Kralanit u vranë 87 shqiptarë që ishin qytetarë të komunës së Klinës, Malishevës, Gjakovës dhe Skënderajt. Nga kjo masakër janë më shumë se 40 të zhdukur, vendndodhja e të cilëve ende nuk dihet.

Ndërkaq, nga masakra e Rezallës kemi 98 viktima, shqiptarë të ekzekutuar, banorë të këtij fshati dhe të fshatrave përreth. Rezalla nga lufta e fundit kishte 44 të zhdukur, nga të cilët 2 viktima janë gjetur në ditët e para të pasluftës në Rezallë dhe 29 viktima tjera janë gjetur në varrezën masive Gurorja në Rudnicë të Rashkës. Rezallës i mungojnë edhe 10 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

Andaj sot, krahas nderimit për të vrarët në masakrën e Rezallës, ne duhet të kujtojmë me nderim edhe rrëfimet tragjike të të mbijetuarve. Duhet të kujtojmë edhe Bacën Misin Deliu, të mbijetuarin e masakrës, i cili nga viti 2019 nuk është më në mesin tonë, por ‘ai mbijetoi dhe rrnoi për të tregu’. Baca Misin në çdo përvjetor dhe mundësi që i është dhënë, ka rrëfyer historinë tragjike të një prej masakrave më mizore të kryera nga ushtria e Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Ai rrëfente dhe fliste, sepse donte drejtësi. Prandaj drejtësia duhet të vendoset, krimet duhet të ndëshkohen.

Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar.

Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak. Megjithatë kjo do të dihet pasi të përfundojnë gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion, si dhe të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore.

Andaj,është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive.

Ne mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë punën tonë duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve te tyre dhe të punojmë për vendosjen e drejtësisë.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021