fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Dokumentimi i rezistencës paqësore

Përmes kësaj ekspozite, autori thotë se tregohen fillimet e rezistencës së organizuar, pastaj rezistenca paqësore, shkollimi paralel, krimet e kryera nga forcat serbe si dhe ngjarje tjera.

Publikuar

Përmes fotografive dhe dokumenteve të ndryshme, është prezantuar periudha e rezistencës paqësore në Kosovë e deri te shtetndërtimi. Ekspozita “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999″, e autorit Shkumbin Brestovci, po qëndron e hapur në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë Dr.Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Në ndërtesën e këtij muzeu, që më herët ishte shtëpi e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, janë paraqitur fotografi të ndryshme, që përshkruajnë ngjarjet që ndodhën në Kosovë nga viti 1989 deri më 1999.

Përmes kësaj ekspozite, autori thotë se tregohen fillimet e rezistencës së organizuar, pastaj rezistenca paqësore, shkollimi paralel, krimet e kryera nga forcat serbe si dhe ngjarje tjera.

Aty janë edhe fotografitë nga pluralizmi politik, fshirja e identitetit kur policët dhe ushtarët serbë ua morën dokumentet e identifikimit shqiptarëve të Kosovës. Fotografitë po ashtu shfaqin bilancin e luftës, shkatërrimin e shtëpive, e të tjera.

“Është një tregim i asaj çka ka ndodhur në këtë periudhë, por natyrisht i kam shtuar edhe disa elemente të tjera, duke pasur parasysh se aty vijnë edhe njerëz të huaj që nuk janë të njoftuar me kontekstin historik”, thotë autori i ekspozitës.

Brestovci thotë se me këtë ekspozitë ka dashur që të tregohet sfondi historik i ngjarjeve të zhvilluara në atë periudhë.

“Muzeu i dedikohet asaj periudhe kohore. Ka qenë pikërisht dedikimi i presidentit, Ibrahim Rugova dhe i institucioneve kulturore, që ai muze t’i dedikohet asaj periudhe”, thotë ai.

Ekspozita shfaq edhe fotografi të kohës të institucioneve paralele shqiptare dhe serbe. Po ashtu, ka edhe dëshmi të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.

“Ka pasur një mosnjohje dhe një injorim nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën në atë kohë. Por, rezistenca kosovare me një ngulm të madhe e ka ndërruar atë opinion”, tha Brestovci.

Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta, atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë.

Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.

Demonstratat që tronditën ish-Jugosllavinë

Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit “Trepça”, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.

Shkumbin Brestovci thotë se e kishte konceptuar këtë si një ekspozitë të përhershme, por thotë se nuk varet prej tij se për sa kohë do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë.

Shkumbin Brestovci thotë se e kishte konceptuar këtë si një ekspozitë të përhershme, por thotë se nuk varet prej tij se për sa kohë do të qëndrojë e hapur kjo ekspozitë.

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë.

Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.

Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë.

Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Ibrahim Rugova zgjidhet president dhe formon qeverinë në ekzil.

Autori i ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”, Shkumbin Brestovci thotë se synimi i tij ka qenë që kjo të jetë ekspozitë e përhershme.

Megjithatë, kjo gjë, siç thotë ai, nuk varet prej tij, por prej autoriteteve institucionale.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021