Ky takim është konfirmuar nga zyrtarët në Prishtinë, Beograd dhe Bashkim Evropian. Para këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrin pjesë në këtë takim për të cilin Kurti tha se ‘nuk është vazhdim i dialogut’ të kaluar, duke e quajtur ‘dialog i ardhshëm’.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se raundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën “nuk do të jetë i lehtë”, porse, sipas tij, është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.
Procesi i dialogut ngeci vitin e kaluar kur asokohe, pala serbe rihapi çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në Kosovë është kundërshtuar vazhdimisht formimi i një asociacioni njëetnik, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.
Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk u zbatua asnjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.