fbpx
Lidhu me Ne!

Tipografi

Daka: Shkarkimi im jo kushtetues, do të ndjek rrugët ligjore

Daka pretendon se vendimi ka qenë i përgatitur më herët dhe përmes tij presidentja e “ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim”.

Publikuar

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga kjo pozitë është në kundërshtim me kushtetutën dhe i pa mbështetur në ligj.

Ajo ka thënë se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj.

“Të akuzohem për mos punë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur”, ka thënë Daka në një konferencë për media.

Daka pretendon se vendimi ka qenë i përgatitur më herët dhe përmes tij presidentja e “ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim”.

“Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”, ka thënë Daka duke shtuar se “kjo gjuhë dhe sjellje është e papranueshme”.

Më 14 qershor presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.

Në vendimin e saj për shkarkimin e Dakës, presidentja Osmani ka thënë se “kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së”.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kundërshtuar vendimin duke thënë se ai rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Një ditë pas shkarkimit të Dakës, presidentja Osmani shpalli 17 tetorin si datë kur do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021