fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

ÇKA U KUPTUA NGA SAMITI NË BËRDO?

Edhe pse para Samitit, viti 2030 u përmend si afati i fundit për anëtarësim, kjo nuk është në tekstin përfundimtar të dokumentit të miratuar në Bërdo pranë Kranjit, në prani të udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 6 tetor.

Publikuar

“Mbështetje pa mëdyshje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor” dhe “përkushtim ndaj procesit të zgjerimit” – kjo është mënyra se si Bashkimi Evropian (BE) formuloi qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Në deklaratën e nënshkruar në samitin “Bashkimit Evropian – Ballkani Perëndimor”, më 6 tetor në Slloveni, u konfirmua se integrimi evropian është “interes dhe zgjedhje e përbashkët strategjike”, ndërkaq BE-ja theksoi se do të “intensifikojë në mënyrë të shtuar angazhimin” në mënyrë që rajoni të përjetojë transformimin – politik, ekonomik dhe shoqëror.

Por datat dhe afatet janë ato që mungojnë në deklaratën, e cila ka 29 pika. Afati deri në të cilin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen me Bashkimin Evropian nuk është specifikuar.

PSE NUK KA NJË DATË?

Edhe pse para Samitit, viti 2030 u përmend si afati i fundit për anëtarësim, kjo nuk është në tekstin përfundimtar të dokumentit të miratuar në Bërdo pranë Kranjit, në prani të udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 6 tetor.

Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, i tha Radios Evropa e Lirë se samiti dërgoi “një sinjal të fortë se zgjerimi është ende në vazhdim e sipër dhe se ai do të ndodhë”.

“A do të hasë ky sinjal në një interpretim dhe pritje të tillë – kjo tashmë është çështje tjetër. Poashtu, çështje tjetër është edhe se sa ky përkushtim është serioz në pjesën e Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

Në pyetjen se pse shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk u është ofruar një datë, Vogel thekson se gjithmonë është e paparashikueshme se sa shpejtë do të përparojnë shtetet në rrugën drejt BE-së.

“Ndoshta mund të ketë ndryshim të pushtetit në shtetin kandidat, ngadalësim të procesit ose ndonjë problem që mund të ngadalësojë gjithçka. Serbia do të mund të zgjidhë të gjithë kapitujt teknik, por përderisa marrëdhënia me Prishtinën mbetet e pazgjidhur, ajo nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Afatet janë artificiale dhe të paparashikueshme për nga natyra e tyre”, u shpreh Vogel.

ÇFARË THANË LIDERËT E BALLKANIT PERËNDIMOR?

Propozimi i Sllovenisë që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, mbetet paksa misterioz, vlerëson për Radion Evropa e Lirë, Toby Vogel, analist në Këshillin për Politika të Demokratizimit.

Ai përkujton se pas hyrjes së Rumanisë dhe Bullgarisë në BE, pikëpamja mbizotëruese ishte se dhënia e një date nuk është një qasje e mirë dhe se procesi i anëtarësimit në BE, duhet të bazohet në merita dhe jo në afate.

“Personalisht, jam shumë skeptik për zgjerimin dhe seriozitetin e premtimeve evropiane se, do të na bashkoheni nëse i plotësoni kriteret. Mendoj se nuk është një premtim i sinqertë, por e kuptoj pse propozimi slloven ishte ‘non-starter’ (nuk kishte asnjë shans për t’u miratuar), theksoi Vogel.

Ai shtoi se dhjetë vjet nuk janë periudhë aq e gjatë në kushtet aktuale të bisedimeve për anëtarësim në BE.

“Për shtetet sikurse Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, të cilat as që i kanë nisur bisedimet, ndërkaq që pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, nëntë apo dhjetë vjet nuk duken si kohë e mjaftueshme (për procesin e integrimit)”, ka shprehur mendimin Vogel.

SHQIPËRIA

“Pas rënies së komunizmit, për herë të parë në histori, ne më në fund ishim të lirë të zgjidhnim se me kë donim të bashkoheshim. Dhe ne zgjodhëm njëzëri Bashkimin Evropian. Nga pak është e dhimbshme për shqiptarët që të dëgjojnë nga Evropa pa pushim se, natyrisht, Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë, por që (shqiptarët) ende e shohin që BE -ja, të cilën ata e adhurojnë aq shumë, për fat të keq ndoshta nuk do ta mbajë fjalën. Është kështu siç është”.

Duke vënë në dukje se e kupton ndjenjën e frustrimit në Shqipëri dhe kritikën e autoriteteve shqiptare se Shqipëria “e ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe Bashkimi Evropian jo”, për të hapur negociatat, Toby Vogel thekson gjithashtu se kryeministri Rama ka treguar tendenca autoritare në rritje dhe ka gjithnjë e më pak “oreks për të vazhduar në rrugën e reformës”.

“Në Shqipëri, problemi i ‘shtetit të robëruar’ po shfaqet në një nivel të caktuar, gjë që është shqetësuese. Nga pikëpamja ime, kjo nuk është një arsye për të mos filluar negociatat, sepse me metodologjinë e re, ka shumë mënyra për të vënë veton dhe shtetet anëtare mund të bllokojnë ose të paktën të ngadalësojnë negociatat. Nuk ka asnjë arsye të mirë për të mos filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ne kemi arritur në atë pikë që kemi pak mbrojtës të asaj ideje brenda Bashkimit Evropian. Rama ka qenë një nga kritikët më të hapur të Bashkimit Evropian në muajt e fundit dhe mendoj se durimi (i tij) është i hollë”, tha Vogel.

BOSNJË E HERCEGOVINA

“Madje është shqyrtuar mundësia që nga kjo deklaratë të përjashtohej nocioni i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor… Mendoj që ne, përgjithësisht, në Ballkanin Perëndimor, pas krejt asaj që kemi pasur rastin të shohim në dhe rreh BE-së, mund të kemi një lloj optimizmi të butë. Sllovenia këmbënguli në atë që neve do të na sillte dobi, për të vendosur një afat kohor për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe se kjo do të duhej të ishte dhjetë vjet, por kjo nuk u miratua nga partnerët e tjerë”

Situatën politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, Toby Vogël e quan një “rrugë pa krye”.

“Askush nuk sheh një rrugëdalje të lehtë nga ngërçi në të cilin gjendet Bosnje dhe Hercegovina. Nuk bëhet fjalë vetëm për qëndrimin që ka pushteti në Republikën Serbe ndaj shtetit dhe të paktën deklaratave retorike për shkëputje nga shteti i përbashkët. Kjo është çështje e negociatave shumë të komplikuara që aktualisht po bëhen rreth reformës zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këto negociata po shkojnë në drejtim të gabuar dhe unë nuk shoh një zgjidhje të lehtë. Propozimi që është aktualisht në tryezë nuk do të forcojë Bosnjë e Hercegovinën si shtet, por vetëm do të thellojë ndarjet etnike në sferën politike. Do të isha i befasuar nëse do të gjendej një zgjidhje para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”, tha Vogël dhe shtoi:

“Por, problemet shkojnë edhe më thellë, problemet e mosfunksionimit të shtetit, pengimi i qëllimshëm i institucioneve të përbashkëta të Bosnjë e Hercegovinës. Kjo është shumë serioze. Dy vjet më parë, Bosnjë e Hercegovina mori 14 pika të prioriteteve nga Bashkimi Evropian që duhet të përmbushen. Nga 14, mendoj se një e gjysmë janë në rrugën drejt zgjidhjes. Ky nuk është një rezultat shumë mbresëlënës. Unë nuk shoh një rrugëdalje të lehtë nga paraliza aktuale e institucioneve, veçanërisht jo me qasjen aktuale të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”.

MALI I ZI

“Besoj se një bashkëpunim më intensiv midis BE -së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ndodhë në periudhën e ardhshme dhe besoj në perspektivën e dukshme të anëtarësimit për Malin e Zi dhe për të gjitha vendet e rajonit tonë”.

Toby Vogel konsideron që rasti i përparimit të Malit të Zi kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian është specifik në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ai ishte në krye të procesit të zgjerimit për një kohë të gjatë, kreu shumë reforma, por ishte gjithashtu e qartë se presidenti Millo Gjukanoviq dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve po mbanin një “lak” rreth politikës (qeverisë) malazeze, i cili u këput në zgjedhjet e vitit të kaluar. Që atëherë, situata ka qenë shumë e paqëndrueshme, e ndërlikuar dhe politika e brendshme është përballur me shumë sfida. Për shembull, janë ngritur çështje të rëndësishme në lidhje me qëndrimin e shtetit ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe Kishës Ortodokse Malazeze, të cilat aktualisht po tërheqin një vëmendje të madhe politike. Por në përgjithësi, nëse ka një vend për të cilin jam plotësisht i sigurt (se do të bëhet anëtar), atëherë është Mali i Zi. Madhësia e shtetit është gjithashtu një faktor i rëndësishëm këtu, sepse është më e lehtë të zbatohen reformat në një shtet më të vogël sesa në një më të madh, më të komplikuar, me një aparat burokratik më të madh. Malit të Zi i ka mbetur që të zgjidhë çështjet e korrupsionit dhe praninë e kapitalit të huaj të fituar në mënyrë të paligjshme dhe investimet, ndihmën shtetërore e kështu me radhë. Këto janë çështje të vështira për tu negociuar. Ekologjia është gjithashtu një kapitull sfidues, por natyrisht që nuk është e pamundur të përmbushen të gjitha këto kushte dhe Mali i Zi ka përparuar mirë në rrugën drejt anëtarësimit”, thotë ai.

KOSOVA

“Ne besojmë se kur i referohemi Ballkanit Perëndimor kemi nevojë dhe duhet të themi Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, pasi janë gjashtë shtete… U bëj thirrje udhëheqësve skeptikë në BE të vlerësojnë progresin në Kosovë dhe të heqin regjimin e vizave për qytetarët tanë”.

Duke e analizuar deklaratën e Albin Kurtit, Toby Vogel thotë për Radion Evropa e Lirë se “e kuptoj plotësisht që Kosova është e frustruar” me statusin aktual.

“Sepse ata morën një premtim nga Bashkimi Evropian se qytetarët nuk do të kenë më nevojë për vizë për në BE, për zonën Schengen, nëse plotësojnë kriteret e caktuara. Ata i plotësuan ato kritere, të cilat u konfirmuan nga Komisioni Evropian dy vjet më parë, por disponimi i Bashkimit Evropian është që liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë së shpejti. Pjesa e parë e deklaratës është përpjekja e Kurtit për të fituar një njohje de facto nga Bashkimi Evropian, ndonëse pesë vende të BE -së nuk e njohin Kosovën. Mendoj që ky propozim (miratimi i termit rreth gjashtë shteteve) nuk do të merret parasysh, megjithëse ne mund të pajtohemi ose të mos pajtohemi me të. Mendoj që Kurti më shumë dërgoi sinjal sesa dërgoi një propozim për të cilin pret të miratohet së shpejti. Kjo është një deklaratë e kuptueshme, shikuar nga pikëpamja e Kurtit, por nuk mendoj se do të miratohet shpejt”.

MAQEDONI E VERIUT

“Në samit, ne kemi edhe një konfirmim të fuqishëm se vetëm një shtet anëtar i Bashkimit Evropian kundërshton integrimin tonë dhe fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkim. Fatkeqësisht dhe për zhgënjimin e madh, personal timin dhe besoj të të gjithë qytetarëve tanë, bllokada vjen nga fqinji ynë Bullgaria. Mesazhet e presidentit (francez, Emanuel) Macron dhe kancelares (gjermane, Angela) Merkel janë të qarta – se për të arritur zgjidhje duhet shikuar përpara drejt së ardhmes dhe jo të gërmohet në të kaluarën. Fatkeqësisht, nuk jam i sigurt që presidenti ( bullgar, Rumen) Radev e kuptoi atë mesazh”.

Toby Vogel thotë se “aktualisht, Bullgaria është goxha e izoluar dhe e vetmuar në Bashkimin Evropian (për sa i përket qëndrimit ndaj Maqedonisë Veriore”.

“Por, unë nuk do të vija bast që Bullgaria është e vetmja që po e frenon hapjen e negociatave”, tha Vogel.

“ Nuk do të befasohesha se ekzistojnë edhe disa shtete tjera të BE-së, të cilave u shkon për shtati vetoja e Bullgarisë për Maqedoninë Veriore. Nuk është shkak i nevojshëm Maqedonia e Veriut për këtë dhe për mendimin tim, skepticizmi më shumë është i orientuar kah Shqipëria, ndërkaq që këto dy shtete shihen si qift për fillimin e negociatave. Ekziston skepticizëm në lidhje me seriozitetin e Shqipërisë në zbatimin e reformave, pasi ajo ka mbetur prapa në demokraci dhe sundimin e ligjit. Mendoj se Maqedonia e Veriut është “e mbërthyer” për shkak të diçkaje që nuk ka të bëjë shumë me të dhe statusin e saj. Të mos harrojmë se qëndrimi i kahershëm ishte se Maqedonia e Veriut ishte shumë e përgatitur për të filluar negociatat dhe se vetëm Greqia e bllokoi atë. Kur u arrit një marrëveshje me Greqinë për emrin, tani Bullgaria papritmas ‘kërceu’. Nuk do ta përjashtoja që edhe në të ardhmen të përsëritet kjo. Nuk mendoj se një shtet anëtar individual, përveç Bullgarisë, do të bllokonte hapjen e negociatave, por nuk pres që procesi të ecë pa probleme dhe të ecë shpejt përpara”, thotë Vogel.

SERBIA

“Nuk kam dyshime se zgjidhja e problemit, në një mënyrë ose në një tjetër, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë e nevojshme (për të hyrë në Bashkimin Evropian)… Edhe përderisa është në rrugën evropiane, Serbia duhet të kujdeset për veten dhe për marrëdhëniet e veta me Rusinë dhe Kinën dhe askush nuk ka të drejtë të na fajësojë pse duam të jetojmë dhe të mbijetojmë”.

Duke komentuar deklaratën e Vuçiqit, Toby Vogel ka theksuar që megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “shumë i mirë në balancimin dhe lojën midis Lindjes dhe Perëndimit”, kësaj “loje do t’i vijë fundi”.

“Herët apo vonë, Serbia do të duhet të zgjedhë, kjo është e thjeshtë. Herët apo vonë Bashkimi Evropian do ta pyes seriozisht Serbinë se a do t’i bashkëngjitet sanksioneve ndaj Kremlinit dhe oligarkëve të afërt me Kremlinin. Herët apo vonë, Bashkimi Evropian do të kërkojë seriozisht që Serbia të bashkohet me të gjitha sanksionet kundër Bjellorusisë dhe regjimit të Lukashenkas. Serbisë do t’i duhet që të marrë vendimin se ku takon. Mendoj që në këtë moment Vuçiqi po luan lojë të mençur, por lehtësisht mund të mashtrohet. Ekziston rreziku që në një moment Brukseli të zemërohet aq shumë sa Bashkimi Evropian të humbasë durimin me atë politikë balancuese serbe”.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021