Lajme
Cka tash?

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet e së dielës mori mbi 150,000 vota më shumë se në zgjedhjet e 2019.
Në bazë të 98% të votave të numëruara, Vetëvendosje fitoi 48% të votave apo mbi 374 mijë.
Por, a do të mundet ky subjekt politik që i vetëm të krijojë qeverinë?
Me rezultatin aktual, Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, tha për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë 56 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëntë deputetë.
Megjithatë, rezultati final do të dihet pas numërimit të votave me kusht, dhe votave përmes postës.
Në KQZ, deri më 12 shkurt, kanë arritur 43.447 pako me fletëvotime nga jashtë, të cilat do të hapen më 15 shkurt për verifikim, proces ky që mund të marrë kohë deri në dhjetë ditë. Numri i votave mund të jetë më i madh, pasi besohet se brenda një pakoje, mund të ketë më shumë se një fletëvotim. Pritjet janë që vota e diasporës të jetë në masë të madhe dedikuar për LVV-në. Kjo do të rriste gjasat e arritjes së shumicës parlamentare.
Si zgjidhet qeveria?
Kosova është republikë parlamentare. Kuvendi i saj ka 120 ulëse, ku 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet joshumicë. Për formimin e qeverisë, nevojiten votat e 61 deputetëve të kuvendit.
Fillimisht, presidenti i Republikës mandaton fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë. Nëse mandatari i parë nuk arrin të formojë qeverinë brenda 15 ditëve pas dekretimit, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re. Kandidati për kryeministër, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 2020, mund të jetë edhe nga partitë e tjera, pra jo partia fituese. Ai duhet të dëshmojë se ka votat e nevojshme që të zgjidhet në kuvendit. Nëse edhe mandatari i dytë dështon të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje.
Kandidati i mandatuar nuk është i obliguar që të ketë koalicion edhe me partitë e komuniteteve joshumicë, por në qeveri, duhet të ndaj të paktën dy poste ministrore për komunitetet joshumicë, nëse qeveria ka 12 ministri. Nëse numri i ministrive tejkalohet, atëherë, një post i tretë ministror i ndahet komuniteteve.
