Lajme
Cila parti shkeli mese shumti rregullat e heshtjes zgjedhore?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP ka njoftuar të premten së ndaj subjekteve politike ka shqiptuar gjoba në shumën totale prej: 121,250.00 €, për shkak të mosrespektimit të Kodit të Mirësjelljes.
“Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë: Heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit-për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si Facebook, thirrje për të votuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, bërja e fushatës me veturë 100m afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS për votim tek qytetarët, vendosja e banerëve me foto të kandidatëve në afërsi të shkollës, vendosja e posterëve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së Votimit, mbajtja e fushatës gjatë ditës së votimit, etj”, thuhet në njoftim.
Prej 138 ankesave të shqyrtuara, Paneli ka vendosur që t’i pranoj si të bazuara 117 ankesa, 7 ankesa i ka refuzuar si të pabazuara, 11 ankesa i ka hedhur si të palejuara, 2 ankesa i ka hedhur si të pasafatshme, si dhe 1 ankesë është tërhequr.
Subjekteve politike iu janë shqiptuar gjoba si në vijim:
Ndaj subjektit politik PDK janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 42,500.00 €;
Ndaj subjektit politik LVV janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 37,500.00 €
Ndaj subjektit politik LDK janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 22,000.00 €;
Ndaj subjektit politik AAK janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 16,250.00 €;
Ndaj subjektit politik NISMA janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 2,000.00 €;
Ndaj subjektit politik Lista Srpska janë shqiptuar gjoba në shumë prej: 1,000.00 €.
Në fund ju informojmë se janë edhe 10 ankesa të cilat ende nuk janë vendosur për arsye procedurale dhe për të njëjtat do të merret vendim ditën e enjte 18 shkurt 2021.
