fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Çfarë letre kishte pranuar Isa Mustafa nga Mogherini, për “Zajednicen”

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ishte arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Publikuar

Në vitin 2015, kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, kishte pranuar një letër nga ish-përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Federica Mogherini, ku thuhej se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe, nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë”.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ishte arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Dy vjet më vonë, të dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus (D+), tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata e ambasadorit Kosnett, është një rikujtim për shtetin e Kosovës për obligimin që ka për të zbatuar marrëveshjen.

“Mendoj që Asociacioni është mirë të respektohet si marrëveshje, për sa kohë respektohet pika e nënshkruar në marrëveshjen e rishikuar në 2015, ku parashihet që çfarëdo marrëveshje të kalojë fillimisht në Gjykatën Kushtetuese”, tha Abrashi.

Përderisa Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka kompetenca ekzekutive, Abrashi beson se duhet të zbatohet, pasi shteti i Kosovës e ka marrë këtë obligim nga marrëveshja e nënshkruar në Bruksel.

Asociacioni është përmendur edhe në takimin e së martës të mbajtur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kryeson delegacionin e Serbisë në dialog, insiston në formimin e Asociacionit.

Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka përsëritur në disa raste se marrëveshjet e arritura, duhet të respektohen.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur qysh në vitin 2011. Këtë javë është mbajtur raundi i fundit i bisedimeve, mes kryeministrit të Kosovës, Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.

Në këtë takim janë shprehur vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa pajtim është arritur vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik.