Tipografi
Burgim të përjetshëm për të akuzuarit e “Monstrës”

Gjykata Penale e Shkupit të martën ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq, janë dënuar në mungesë, ndërsa prokurorja e rastit Fatime Fetai tha se të njëjtit ndodhen në Kosovë, prej nga edhe duhet të ekstradohen për vuajtjen e dënimit, shkruan Evropa e Lirë.
“Bëhet fjalë për vrasje monstruoze, përkatësisht marrjen e jetës apo likuidimin e fëmijëve të cilë sapo ishin arritur moshën e pjekurisë. Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq shpallen fajtorë për veprën e rëndë penale terrorizëm andaj edhe në bazë të Kodin Penal për këtë akt të kryer dënohen me burgim të përjetshëm… Të pandehurit e tjerë për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e kësaj vepre’ dënohen Haki Aziri me nëntë vjet burg, ndërsa Fejzi Aziri me 15 vjet burgim”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Ognen Stavrev./tg/
