Lajme
Berlin: Sërish ndërprerje pjesërisht e vaksinimeve me AstraZeneca
Kosova do të furnizohet me 76,800 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 gjatë muajit maj. Kosova nisi të hënën fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pasi të dielën pranoi 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Spitalet e Berlinit vendosën përsëri të ndërpresin pjesërisht vaksinimet me vaksinat e kompanisë AstraZeneca. Klinikat shtetërore nuk do të vaksinojnë me këtë lloj vaksine gratë nën moshën 55 vjeç, shkruan gazeta e Berlinit “Tagesspiegel”, sepse vazhdon të ketë raste tromboze. Vaksina është ende nën vëzhgimin dhe testimin e autoriteteve.
Ndërkohë, Kosova do të furnizohet me 76,800 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 gjatë muajit maj. Kosova nisi të hënën fushatën e imunizimit kundër koronavirusit, pasi të dielën pranoi 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.
Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim. UNICEF ndihmon në shpërndarjen e vaksinave në këto vende.
Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.
Të martën, shefja për imunizim në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Edita Goranci-Haxhiu, tha se deri 70 % e popullatës parashihet të vaksinohet deri në fund të vitit, varësisht prej dërgesave të vaksinave.
