Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin i cili autorizon shtetin shqiptar që të ndjekë procedurë të veçantë të negocimit me kompaninë amerikane Bechtel International për të projektuar dhe ndërtuar hidrocentralin e Skavicës.
4 deri në 6 javë pas miratimit të këtij akti nga parlamenti, kompania duhet të dorëzojë pranë qeverisë propozimin fillestar, pas matjeve dhe inspektimeve teknike që do të kryejë në terren, si dhe të japë një vlerë të përafërt financiare, ndërsa angazhohet të ndihmojë Shqipërinë në sigurimin e kredisë për financimin e veprës, shkruan TVKLAN
Nëse palët do të bien dakord në fazën e parë, atëherë do të nisë negocimi i kontratës për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit, duke përfshirë ofertën financiare të plotë, afatin e përfundimit dhe detajet e sakta teknike.
Kontrata do të duhet të miratohet me ligj të veçantë nga kuvendi. Aktualisht janë duke u vlerësuar nga ana e korporatës elektroenergjitike dy variante për Skavicën: projekti i pare me lartësi 388 metra, prodhim vjetor 479 gigavatorë dhe kosto ndërtimi 308 mln Euro dhe Skavica B, 443 metra, me prodhim 915 gigavat orë, por që kërkon një investim 510 milion Euro.
Qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë Bechtel për ndërtimin e hidrocenteralit gjatë vizitës në Shqipëri të Nënsekretarit të Shteteve të Bashkuara për Ekonominë Keit Krach. E njëjta firmë ka ndërtuar edhe rrugën Milot-Morinë.