fbpx
Lidhu me Ne!

Tipografi

BE, tolerante ndaj Serbisë dhe Malit të Zi

Publikuar

Në Bashkimin Evropian janë duke vazhduar përgatitjet që Mali i Zi dhe Serbia të përfshihen në metodologjinë e re të zgjerimit të bllokut, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2020. Në një dokument të brendshëm, të përgatitur nga Komisioni Evropian për shtetet anëtare, janë paraqitur hapat përmes së cilave edhe Mali i Zi dhe Serbia do të përfshihen në këtë metodologji. Në parim, metodologjia e re aplikohet ndaj shteteve, të cilat, në kohën e miratimit të saj, nuk kishin nisur negociatat e anëtarësimit, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por, që prej se ishte miratuar kjo metodologji ishte thënë se edhe këto dy shtete mund të përfshihen në këtë metodologji të re “me kusht që edhe ato të pajtohen me këtë”.

Metodologjia e re e zgjerimit parasheh grupimin e disa kapitujve në një tërësi dhe hapjen dhe mbylljen e tyre në të njëjtën kohë. Po ashtu, parashihet edhe dinamizmi i kontakteve politike, por edhe fokusimi më i madh në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Në këtë dokument po ashtu propozohet që Mali i Zi dhe Serbia nuk mund të mbyllin asnjë kapitull të ri negociues, nëse nuk vërtetohet se i kanë përmbushur të gjitha kushtet kalimtare nga kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe rendin e ligjin. Po ashtu, këta kapituj do të mbyllen vetëm në fund të procesit.

Edhe në këtë dokument, në rastin e Serbisë, përmendet kusht edhe progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën, në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson BE-ja.

“Në rastin e Serbisë, progresi në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën mbetet element kyç, në përputhje me kornizën negociuese për Serbinë”, thuhet në dokument.

Sipas metodologjisë së re, shtetet anëtare të BE-së do të kenë më shumë mundësi që të jenë të përfshira në monitorimin e procesit, duke përfshirë edhe kontributin e tyre në përmbajtjen e Raportit të Progresit si dhe në praninë e ekspertëve të shteteve anëtare në terren.

Po ashtu, do të ketë më shumë takime në nivel politik midis BE-së dhe vendeve kandidate, si përmes Këshillit për Stabilizim Asociim, ashtu edhe me takime së paku një herë në vit në nivel të konferencave ndërqeveritare. Rëndom, konferenca të tilla mes BE-së dhe një vendi që negocion për anëtarësim zhvillohen vetëm për të hapur apo mbyllur kapitujt negociues. Por, tani propozimi është që takime të tilla të mos varen vetëm nga hapja e kapitujve, por të jenë edhe një forum politik, ku mund të diskutohen prioritetet dhe dinamikat e procesit.

Me metodologjinë e re, përmes së cilës BE-ja dëshiron ta bëjë procesin shumë të parashikueshëm, janë paraparë edhe masat korrektuese dhe sanksionet në rast se Mali i Zi apo Serbia kanë ngecje apo kthim prapa në zbatimin e obligimeve në kapitujt negociues, sidomos në ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe fushën e drejtësisë.

Metodologjia e re ishte miratuar në BE me propozimin e Francës, që së bashku me Holandën kishin bllokuar vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas miratimit të kësaj metodologjie, Këshilli kishte arritur të marrë pëlqimin e të 27 shteteve anëtare për të nisur negociatat me këto dy shtete. Por, për këto dy shtete ende nuk është miratuar korniza negociuese, pa të cilën, as Tirana dhe as Shkupi zyrtar nuk mund të nisin formalisht negociatat për anëtarësim në BE. Mali i Zi dhe Serbia para disa vjetësh kanë nisur negociatat për anëtarësim dhe deri më tani, këto dy shtete kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.

Mbështetësit e metodologjisë së re kanë argumentuar se qëllimi i saj është që nëse shtetet kandidate, vërtetë janë të gatshme që t’i përmbushin kushtet, do të përshpejtohet edhe procesi i negociatave të anëtarësimit. Prandaj, edhe kanë shprehur bindjen se Mali i Zi dhe Serbia do të jenë të interesuara që edhe ndaj tyre të përdoret kjo metodologji e re.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021