Bashkimi Evropian ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në këtë pozitë.
“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapo konsoliduara të Kosovës”, thuhet në urimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Kosova, thotë BE, tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes. Pas zgjedhjes, ajo bëri betimin para deputetëve.
Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.