fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Banka e Shqipërisë rrit sërish normën e interesit për të ulur më tej inflacionin

Publikuar

Këshilli mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë njoftoi sot një rritje të re të normës bazë të interesit të monedhës vendase lek, me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në kuotën e 3.25 përqind. Gjatë vitit 2023, inflacioni njohu një tendencë rënëse dhe sipas të dhënave zyrtare ai shënoi “shënoi një nivel mesatar prej 4.1% në tremujorin e tretë, i diktuar nga rënia e inflacionit të importuar”. Por pavarësisht kësaj, Banka Qendrore ka vlerësuar se “presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve ndaj inflacionit është zhvendosur për lart”.

Siç shpjegoi guvernatori Gent Sejko “reduktimi i stimulit monetar, përmes normalizimit të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare, është një masë e nevojshme për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit të ardhshëm. Ai faktorizon nevojën për një rol më aktiv të politikës monetare në drejtim të balancimit të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, përkundrejt pritjeve për një ecuri më të stabilizuar të kursit të këmbimit dhe një politike fiskale më neutrale në horizontin afatmesëm. Në këtë kontekst, ai i shërben ruajtjes së fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, garantimit të stabilitetit monetar e financiar të ekonomisë, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të vendit”.

Rritja e normës bazë të interestit u sugjerua dhe nga misionit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në përfundim të takimeve të cilat u përmbyllën javën e shkuar. “Kthimi i inflacionit në objektivin e synuar me gjasa do të kërkojë disa rritje të mëtejshme. Me rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste, në kushtet e shtrëngimit të tregut të punës dhe me normat reale të interesit ende negative, ka hapësira për rritje të mëtejshme të normës bazë. Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral– vlerësuar në rreth 4.5 për qind—do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025”. FMN shpjegoi se “ka pasiguri në lidhje me ecurinë e inflacionit” e për këtë arsye “një qasje elastike që lejon vendimmarrje mbi normën bazë takim pas takimi, do të ishte e përshtatshme”.

Pas një periudhe të gjatë 13 vjeçare, gjatë së cilave norma bazë e interesit kishte njohur vetëm ulje, duke rënë në minimumin historik prej 0.5 përqind, Banka e Shqipërisë ndërhyri për herë të parë në mars të vitit të kaluar, kur inflacioni dha shenjat e para të rritjes. Gjatë vitit të kaluar ajo ndërhyri, me rritje të njëpasnjëshme, dhe katër herë të tjera, si dhe së fundmi në mars të këtij viti.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook