fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Arrijnë në Shkup trupat e pajetë nga aksidenti në Bullgari

Aksidentit i kanë mbijetuar shtatë udhëtarë, të cilët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Publikuar

Të premten, më 3 dhjetor, në Maqedoninë e Veriut janë dërguar trupat e pajetë të 45 personave që humbën jetën, më 23 nëntor, në Bullgari gjatë aksidentit me autobusin e agjencisë “Besa Trans”.

Viktimat janë bartur me dy avionë ushtarakë bullgarë, ndërsa në Aeroportin e Shkupit janë pritur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve e përfaqësues nga Kosova e Shqipëria, dhe më pas në mënyrë të organizuar do t’u dorëzohen familjarëve në vendbanimet e tyre.

Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica kanë qenë familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore. Të gjitha viktimat kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.

Aksidentit i kanë mbijetuar shtatë udhëtarë, të cilët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit të autobusit, i cili ka marrë flakë pas përplasjes së bankinat e autostradës “Struma”, rreth 40 kilometra nga Sofja, por disa hetues e prokurorë bullgarë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që shkëndijat që janë paraqitur nga përplasja e autobusit të kenë nxitur zjarrin.

“Në momentin e aksidentit, në gomën e përparme të autobusit është ‘varur’ një copë e madhe e bankinës që ndanë korsinë e autostradës, e cila pas përplasjes në pjesën tjetër është gjetur e lakuar si ‘fizarmonikë’ duke shkaktuar fërkime dhe shkëndija…Mund të imagjinoni se çfarë fërkimi dhe shkëndija mund të jenë paraqitur”, ka deklaruar Marian Mihailov për televizionin BTV.

Homazhe në nderim të viktimave të aksidenti me autobus,. Trupat e pajetë të viktimave u dërguan me avionë ushtarakë nga Bullgaria të premten më 3 dhjetor në Aeroportin e Shkupit.

Homazhe në nderim të viktimave të aksidenti me autobus,. Trupat e pajetë të viktimave u dërguan me avionë ushtarakë nga Bullgaria të premten më 3 dhjetor në Aeroportin e Shkupit.

Ai ka refuzuar të zbulojë publikisht shkakun e zjarrit pasi, sipas tij, kjo është “lënë në duart e ekspertëve”, të cilët tashmë kanë “pistat e tyre të hetimit”.

Paraprakisht, edhe zëvendëskryeprokurori bullgar, Borislav Sarafov, nuk e kishte përjashtuar mundësinë që shkaktari i zjarrit të ketë qenë përplasja e autobusit në bankinën e autostradës.

“Shkak i mundshëm i zjarrit ka qenë përplasja e autobusit në anën e djathtë të bankinës, ndërsa pjesë të saj kanë shkaktuar shkëndija në pjesën e poshtme të autobusit duke shkaktuar më pas ndezjen e karburantit dhe të vajrave tjerë”, ka deklaruar Sarafav në Sofje më 25 nëntor.

Edhe prokurorët maqedonas nuk e kanë përjashtuar mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga shkëndijat, të cilat janë shndërruar në zjarr të fuqishëm pas përplasjes së autobusit me bankinat e hekurta përgjatë autostradës.

“Nafta shumë vështirë digjet, por është e mundur të ketë pasur shumë shkëndija pasi shoferi fillimisht ka goditur parmakët me pjesën e djathë të autobusit duke shkulur shtatë apo tetë shtylla metali, pastaj ka kaluar në anën e majtë ku, po ashtu, ka goditur parmakët dhe sërish ka kaluar në anën e djathë që pastaj të përfundojë sërish në anën e majtë ku supozojmë të jenë paraqitur shkëndija të mëdha pas çka edhe ka marrë flakë. Por, duhet të presim hetimet dhe analizat për të pasur një raport përfundimtar mbi shkaqet e aksidentit”, ka deklaruar prokurorja e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska.

Ajo ka thënë për mediat lokale në Shkup se prokuroria po heton edhe lëshimet tjera që janë bërë brenda territorit të Maqedonisë së Veriut, në veçanti me licencat për transport të udhëtarëve.

 “Në Prokurorinë Themelore të Shkupit ka nisur një procedurë parahetimore, jo për shkaqet e aksidentit, por për aspekte tjera, e në veçanti ajo që doli në opinion se si është e mundur që autobusi i aksidentuar vetëm gjatë këtij viti të ketë kaluar 135 herë kufijtë e Maqedonisë së Veriut pa licencë për transport ndërkombëtar të udhëtarëve. Nuk mund të them nëse ka pasur një krim organizuar pasi këtë do ta tregojë hetimi”, ka deklaruar Ruskoska.

Bullgaria, me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse edhe në të kaluarën.

Aksidenti i fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021