Kronikë e zezë
Arrestimi i “Ciprra-s”, Prokuroria jep detaje të reja
Besim Hajdari, më 16.04.2021, është ndaluar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, në kohëzgjatje prej 48 orësh, në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi për medie, ka dhënë detaje të tjera shtesë në lidhje me arrestimin e Besim Hajdarit – “Ciprra”. Sipas Prokurorisë, Ciprra dyshohet për disa vepra penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se pas zhvillimit të një operacioni në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovë dhe Njësitin Special të Kosovës, më 16.04.2021, është arrestuar i dyshuari me inicialet B.H., i cili për nga e kaluara e tij kriminale ka qenë recidivist dhe i kërkuar për organet e drejtësisë, i përfshirë në disa raste për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe “Kanosje’ “, njofton Prokuroria Themelore.
Në njoftim thuhet se Besim Hajdari, më 16.04.2021, është ndaluar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, në kohëzgjatje prej 48 orësh, në drejtim të veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Dje u raportua se Hajdari u arrestua derisa ishte në një motel në rrugën Podujevë-Merdar, ku gjendej me një vajzë të mitur (17 vjeçe).
