fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

Kosova, optimiste për njohjen nga Greqia

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë

Publikuar

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka pranuar ftesën e Greqisë, që zyrtarisht ta vizitojë këtë shtet, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga MPJD-ja. Nga kjo ministri thanë se Gërvalla, me kënaqësi do t’i përgjigjet kësaj ftese, por nuk treguan se kur mund të ndodhë kjo vizitë.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.

Ftesa për vizën e Gërvallës në Athinën zyrtare, u bë përmes udhëheqëses së Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Chryssoula Aliferi, gjatë një takimi që ajo pati më 15 prill, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Në këtë takim, Kurti ka kërkuar nga Aliferi, që Greqia t’i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por sipas qëndrimit të Athinës zyrtare, që është publikuar edhe në faqen e Zyrës ndërlidhëse në Prishtinë, çështja e njohjes varet nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova, e interesuar për thellimin e bashkëpunimit me Greqinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës deklaron se Prishtina dhe Athina zyrtare tashmë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe shton se “Kosova është shumë e interesuar në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”.

“Kosova është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të rezultojë me njohje nga Greqia, si një shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”, tha MPJD-ja në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

MPJD-ja po ashtu tha se Kosova është optimiste për këtë çështje, duke pasur parasysh fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.

“Për më tepër, ne jemi duke punuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, kulturës, por edhe në fusha të tjera, që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, tha ministria.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën ndërlidhëse greke në Prishtinë, nëse Athina zyrtare ka ndryshuar pozicionin e saj karshi statusit të Kosovës. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nga kjo zyre nuk janë përgjigjur.

Në faqen në internet të Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, thuhet se “politika greke frymëzohet nga një vullnet i sinqertë për të ndërtuar një mjedis paqeje dhe prosperiteti për të gjithë popujt në rajon, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.

Ndërkaq, sa i përket qëndrimit politik të Greqisë ndaj Kosovës, thuhet se “ne mbështesim plotësisht dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e BE-së, proces ky që i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme kursit evropian të të dyja vendeve”, duke përfunduar se këtë kurs, Greqia e promovon për Ballkanin Perëndimor në tërësi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk ka treguar saktë nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë hap konkret për të bindur pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Sa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, Kryeziu theksoi se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe mbështetë vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021