fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Ukraina: Civilët duhet të largohen këtë dimër nga zonat e çliruara

Evakuimet vijnë një javë pasi Ukraina ka rikthyer qytetin e Hersonit, që është në pjesën perëndimore të lumit Dnjepër, dhe zonat përreth tij.

Publikuar

Autoritetet ukrainase kanë nisur evakuimin e civilëve nga zonat e rimarra së fundi në rajonet e Hersonit dhe Mikollaivit, shkaku i frikës se dëmet e shkaktuara nga forcat ushtarake ruse në infrastrukturë dhe mungesa e rrymës, ujit dhe ngrohjes, do t’ua pamundësojnë civilëve ta kalojnë aty dimrin që po vjen.

Këto evakuime janë duke ndodhur derisa Ukraina po përballet me ndërprerje të energjisë në pjesën më të madhe të vendit.

Banorët e dy rajoneve jugore të Ukrainës, që janë bombarduar për disa muaj rresht nga forcat ruse, janë këshilluar të shpërngulen në zona më të sigurta në Ukrainën veriore dhe qendrore, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.

Qeveria do t’ua sigurojë “transportin, vendqëndrimin dhe kujdesin mjekësor”, tha ajo.

Evakuimet vijnë një javë pasi Ukraina ka rikthyer qytetin e Hersonit, që është në pjesën perëndimore të lumit Dnjepër, dhe zonat përreth tij.

Ky hap është konsideruar fitore e madhe për Ukrainën në fushëbetejë, por tani evakuimet tregojnë për vështirësitë me të cilat po përballet vendi.

Ukraina njihet për mot brutal gjatë dimrit dhe bora tashmë e ka mbuluar Kievin, kryeqytetin, dhe disa qytete të tjera.

Rusia ka pozicionuar trupa mbrojtëse përgjatë bregut lindor të lumit Dnjepër, nga frika se forcat ukrainase do t’i zmbrapsin edhe më tutje. Në javët para kundërsulmit të suksesshëm të Ukrainës, rusët inkurajuan dhe ndihmuan dhjetëra mijëra banorë të Hersonit të evakuohen në zona të kontrolluara nga Rusia.

Prej kur Ukraina e rimori qytetin e Hersonit – vetëm një javë më parë – Rusia ka bombarduar rrjetin energjetik të Ukrainës dhe rrjete të tjera infrastrukturore, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke i lënë miliona ukrainas pa ngrohje, rrymë dhe ujë.

Besohet se mbi 40 për qind e rrjetit energjetik të Ukrainës është dëmtuar nga bombardimet ruse me raketa gjatë javëve të fundit.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021