fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Vërshime në disa komuna të Kosovës

Pas reshjeve të mëdha që shkaktuan edhe vërshime në shumë pjesë të vendit, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se janë duke e monitoruar situatën në terren.

Publikuar

Për shkak të reshjeve të shiut në disa komuna të Kosovës raportohet për vërshime dhe vështirësi në qarkullim.

Në komunën e Junikut, sipas zyrtarëve komunal të kësaj komune situata e krijuar nga reshjet e shiut ka shkaktuar vërshime dhe përmbytje.

Demokrat Ganijaj, drejtor për Shërbime Publike, Inspeksion, Mbrojtje dhe Shpëtim i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është rritur niveli i lumi Erenik dhe disa fshatra dhe lagje po përballen me vështirësi.

“Gjendja momentalisht është emergjente, por nën kontroll. Jemi me ekipet emergjente në terren, kemi rritje të shtratit të lumit Erenik në disa pjesë në lagjen Berisha, lagjen Tofa. Po ashtu ka rrëshqitje të dheut dhe dëmtim të rrugës në fshatin Jasiq. Tek disa shtëpi që janë me bodrum ka përmbytje”, tha Ganijaj.

Nënkryetari i Junikut, Besart Tofaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes, dhe ka thënë se për shkak të reshjeve të shiut lumi Erenik “rrezikon edhe të dal nga shtrati”.

Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar vështirësi dhe në komunën e Vushtrrisë.

Maliq Ferizi, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i ka thënë REL-it se situata është e menaxhueshme aktualisht, por ka raportime vazhdimisht nga qytetarë që po hasin në vështirësi.

Situta më e rënduar sipas tij paraqitetet te magjistarja Prishtinë – Mitrovicë.

“Ka vështirësi në qarkullim të makinave, por, rruga është e kalueshme”, tha ai.

Sipas tij, ka ankesa nga banorët dhe raportime për vërshime në oborret e tyre.

“Për çdo rast që po kërkohet ndihmë, ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie. Evakuime të banorëve nuk ka pasur deri tani”, tha ai.

Ferizi shton se lumi Sitinca ka rritje të nivelit dhe se aktualisht nuk ka rrezik për dalje nga shtrati.

Në vitin 2021 nga reshjet atmosferike lumi Sitnica pati dal nga shtrati edhe kishte shkaktuar vërshime të mëdha në rajonin e Vushtrrisë.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook tha se si pasojë e reshjeve të shiut ura në fshatin Vranoc të Vogël ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është e pakalueshme.

Edhe në komunën e Pejës, drejtori për Mbrojte dhe Shpëtim Gëzim Gashi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se po përballen me vështirësi pas reshjeve të shiu, por se situata është nën kontroll nga ekipet emergjente.

“Kemi bërë disa reagime ku ka qenë më rrezik. Kanali Çokolica një kanal i njohur këtu në Pejë i cili ka dal nga shtrati është rregulluar pas ndërhyrjes. Për momentin nuk ka pasur evakuime të qytetarëve në ndonjë pjesë dhe gjithçka është nën kontroll”, tha Gashi.

Në Istog, ndërkohë raportohet se nga vërshimet janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonomitë familjare, biznese, në bujqësi.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi tha për REL-in se situata nga reshjet e mëdha të shiut është e rëndë.

Sipas tij, vërshime ka në disa pjesë të kësaj komune.

“Është themeluar edhe shtabi komunal emergjent. Situata është nën kontroll, por e rënduar. Lumi i Istogut, lumi Shushicë dhe lumi Kujavç në disa pjesë të caktuara, por, jo në sasi të mëdha kanë dal nga shtrati”, tha Kabashi.

Pas reshjeve të mëdha që shkaktuan edhe vërshime në shumë pjesë të vendit, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se janë duke e monitoruar situatën në terren.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në një njoftim më 18 nëntor ka thënë se reshjet e shiut me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale pritet të vazhdojnë deri të hënën më 21 nëntor.

Më të theksuara reshjet e shiut, sipas Institutit do të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, sidomos në Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec dhe vende tjera.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021