fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Është gjetur gjuhë e përbashkët në Bruksel, deri të premten prezantohet zgjidhja

AP kupton se pala kosovare ka pranuar që të spostojë vendimin për targat pas kërkesave të shumëhershme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por për këtë lëshim ka kërkuar një garanci nga partnerët.

Publikuar

Josep Borell tha se gjetja e zgjidhjes për çështjen e targave para datës 21 nëntor nuk ka alternativë dhe përtej deklarimit zotimi është jetësuar.

Albanian Post kupton përmes burimeve diplomatike se tashmë është arritur akord në parim për de-eskalim të situatës dhe më së largu të premten (18 nëntor) palët do të dalin për të treguar detajet, ose të paktën njoftimin zyrtar për dakordim.

AP kupton se pala kosovare ka pranuar që të spostojë vendimin për targat pas kërkesave të shumëhershme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por për këtë lëshim ka kërkuar një garanci nga partnerët.

Aktualisht po kërkohen modalitete se si do të mund të ktheheshin serbët e Kosovës në institucione, të cilat i lëshuan në mënyrë demonstrative, pasi nuk u pajtuan me shkallëzimin e vendimit për targa, që parashihte në faza qortime, gjoba dhe tabela provuese, për të gjithë ata që s’e kanë bërë kalimin nga tabelat ilegale me “KM” te ato të shtetit me “RKS”.

Problemi për rikthim nuk konsiston te ato struktura që janë administrative, si për shembull policët, gjyqtarët dhe nivele të tjera brenda administratës së shtetit.

Më specifike do të jetë gjetja e një zgjidhje për ata që kanë lëshuar postet politike, siç janë deputetët e Kosovës dhe kryetarët e katër komunave.

Largimi i tyre nga pozitat nënkupton djegje të mandateve, prandaj edhe Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës mori vendim për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Të martën e kaluar, KQZ, pranoi kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Po ashtu, Osmani, pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, ka bërë të ditur se kanë vendosur 18 dhjetorin si datë e zgjedhjeve për katër komunat në Veri.

Siç dihet, nga 5 nëntori, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë pa kryetarë.

Marrëveshja për De-eskalim

Albanian Post ka raportuar me 9 nëntor se nga ndërkombëtarët është ofruar një propozim me tri pika.

Propozimi është diskutuar, siç njoftoi edhe kryediplomati Josep Borell, edhe në Paris, në takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Pika e parë e propozimit ndërkombëtar për të dalur nga kriza aktuale ishte që “të dyja palët duhet ta konfirmojnë përkushtimin e tyre për planin Franko-gjerman dhe të dyja palët të kthehen në negociata”.

Në pikën dy bëhet një kërkesë eksplicite për qeverinë e Serbisë.

“Serbia pajtohet se kërkesa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duhet të diskutohet vetëm përbrenda tërësisë së planit Franko-gjerman – pra, si pjesë e strukturës së përgjithshme të planit”, thuhet në propozimin ndërkombëtar në të cilin ka pasur qasje AP.

Pika e tretë është një tjetër kërkesë, por për Kosovën.

“Kosova pajtohet që të zbusë masat në raport me çështjen e targave”, pohon propozimi.

Synim i këtyre tri pikave në formë të kërkesave nga ndërkombëtarët është qetësimi i situatës në terren, kthimi i normalitetit dhe krijimi i mundësisë për vazhdim të dialogut në Bruksel.

“Kjo duhet të formojë bazën për rikthim në dialog dhe rikthimin gradual të serbëve në institucione”, pohohet në propozim.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021