fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës

Publikuar

Srpska lista

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Rakiq ka thënë të shtunën se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.

Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.

Ai ka mbajtur pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion.

Në emër të punonjësve në sistemin gjyqësor, dorëheqje ka dhënë Nikolla Kabashiq, kryetar i Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar lidhur me vendimin e përfaqësuesve serbë.

Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përmes detyrimit të serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, “Serbia është duke shkelur në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”.

“Një frikësim i tillë nuk do të funksionojë. Institucionet e Kosovës do të mbesin multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021