fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Suspendohet drejtori policisë në veri pasi refuzoi zbatimin e vendimit për targa

Publikuar

Është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, pasi i njëjti ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

Lajmin e ka bërë të ditur të enjten Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”, thuhet në njoftim.

Suspendimi i tij thuhet se është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.

“Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”.

Suspendimi i Gjuriqit është bërë pas rekomandimit nga Inspektorati Policor i Kosovës.

I njëjti dyshohet se kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë”, të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, shkruan Telegrafi.

Ndryshe, Gjuriq ka deklaruar të mërkurën se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka thënë ai, duke shtuar se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i ka bërë këto deklarata, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Për moszbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb në veri të vendit, ka folur këtë të enjte edhe kryeministri Albin Kurti.

“Është një gjë kur dështon zbatimi i vendimit dhe është një gjë tjetër kur dikush bën thirrje të mos zbatohet vendimi, përveç që tregon se nuk do ta zbatojë ai ose ajo vetë. I përket organeve të sigurisë që të merren me këtë thirrje e cila qartazi është në shpërputhje me rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021