fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

SHBA-ja kërkon veprime të menjëhershme për të shtensionuar veriun

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Publikuar

Shtetet e Bashkuara thonë se duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

I ngarkuari me punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe, njoftoi se ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me të cilin ka diskutuar për rëndësinë e riangazhimit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Një takim i mirë me kryeministrin Kurti mbi rëndësinë e riangazhimit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e targave dhe të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, thuhet në një postim të, Nicholas Giacobbe, në rrjetin social Twitter.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.

Bashkimi Evropian (BE) që nga nisja e eskalimit të situatës në veri të Kosovës është angazhuar në aspektin diplomatik për të ndihmuar palët që të ulen tensionet. Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë qenë në kontakte me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për uljen e tensioneve, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021