fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Strehimi i afganëve në Kosovë kërkon mbikëqyrje në aspektin e sigurisë, thonë ekspertët

Bazuar në këto kapacitete mendohet se në Kosovë mund të strehohen deri në 10 mijë civilë afganë. Por, sfida për Kosoven, nuk është vendstrehimi, por aspekti ekonomik dhe mbikëqyrja në aspektin e sigurisë.

Publikuar

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së hënës miratoi vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme nga Republika e Kosovës, për qytetarët afganë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të qeverisë amerikane në Afganistan si dhe për familjarët e tyre.

Lajmi është bërë i ditur në Facebook nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Vendosja e tyre, përveç se në “Qendrën e Azilit” në Vranidoll dhe Magurë, pritet të bëhet edhe tek “Parku Inovativ” në Prizren dhe tek kampi i KFOR-it francez në Maxhunaj të Vushtrrisë.

Bazuar në këto kapacitete mendohet se në Kosovë mund të strehohen deri në 10 mijë civilë afganë. Por, sfida për Kosoven, nuk është vendstrehimi, por aspekti ekonomik dhe mbikëqyrja në aspektin e sigurisë.

“Në këtë fazë ne e kemi prej SHBA-ve një verifikim të sigurisë, aq sa ka mundur të bëhet, që ata janë pjesë e koalicionit qytetar-afgan, por që normal duke pasur parasysh që talebanët i kanë liruar të gjithë ata militantë të Al-Qaeda, Al-Nusra, mbi 5 mijë domethënë ata lehtë mund të infiltrohen në këtë valë të refugjatëve, për këtë arsye duhet të kemi kujdes nga sektori i sigurisë edhe pse ata janë përgatitur shumë mirë për këtë çështje, duhet të jemi të kujdesshëm që ata të verifikohen gjatë qëndrimit këtu dhe që jenë të mbikëqyrur në aspektin e sigurisë”, deklaroi Nuredin Ibishi, ekspert sigurie.

Ndërsa, sipas Behxhet Shalëss nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, problematike do të jetë edhe aspekti i respektimit të të drejtave të njeriut, pasi fillimisht këta refugjatë do jenë të mbyllur dhe kjo sipas tij paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.

Por, edhe lënia në liri e tyre mund të paraqesë rrezik për sigurinë kosovare.

“Nëse në një qasje të pakontrolluar i lironi 3-4 mijë persona atëherë do jetë problem që të menaxhohet situata sepse ne realisht nuk e dimë se a janë të gjithë ata që vijnë vetëm kundërshtarë të talebanëve, apo ndoshta në mesin e tyre ka talebanë të infiltruar dhe të cilët Kosova nuk ka kapacitet t’i mbikëqyr dhe në një plan afatgjatë nëse nuk arrihet një zgjidhje e shpejt do t’i sjellin problem Kosovës sepse nuk e shoh që do të jenë përkohësisht këtu”, deklaroi Behxhet Shala.

Për çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë janë shprehur edhe liderët opozitarë.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova duhej të ofrohej vullnetarisht për të strehuar disidentët afganë.

“Kam bërë një deklarim zyrtar, kam qenë i pari personazh publik që kam kërkuar që Kosova vullnetarisht të ofrohet për të strehuar disidentë, fjala është për lëvizje të caktuar të një populli i cili ka qenë aleat me aleatët tanë, në këtë rast me Amerikën, perëndimin, për të strehuar në Kosovë me kapacitetin e vet. Më vonë ka rezultuar që institucionet e Kosovës dhe të gjithë kanë qenë pro, i mirëpresim pra ata që i kërkojnë ndihmën tonë në këto situata, e unë jam thirrur edhe në faktin se e kam parë personalisht ndihmën e Amerikës që na ka ndihmuar të kthejmë nënat me fëmijë, pasi siç e dini ka nëna e fëmijë shqiptarë që mbahen në kampet e luftës në Siri”, tha ai.

Vendimin e institucioneve për të strehuar afganët e ka konsideruar të drejtë e të domosdoshëm edhe kryetari i LDK, Lumit Abdixhiku, i cili në një status në rrjetet sociale është shprehur se do të jetë një shembull që Kosova do të japë në sytë e botës.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021