fbpx
Lidhu me Ne!

Tipografi

Anulohet projekti i TIKA-s për restaurimin e Hamamit të Madh

Vendimin për pezullimin e këtij projekti e ka marrë Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, pas pranimit të ankesave të parashtruara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore – MKRS, dhe nga disa profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”

Publikuar

Hamami i Prishtines

Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, ka anuluar projektin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, i cili ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qerim Ondozi, këshilltar për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Po, ky projekt është pezulluar”, ka deklaruar Ondozi të martën.

Ai ka shtuar se vendimin për pezullimin e këtij projekti e ka marrë Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, pas pranimit të ankesave të parashtruara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore – MKRS, dhe nga disa profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Ondozi ka thënë se Komisioni i MKRS-së ka vërejtur se shqyrtimi dhe miratimi i projektit nga ana e IKMM-së, “nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale dhe teknike, të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi që e rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës”.

“Projekti ka mangësi, në veçanti në argumentim të dy elementeve të rëndësishme: atë të hulumtimit paraprak të historikut të ndërtesës, gjendjes burimore, si dhe atë të arsyetimit të zgjidhjes së propozimeve konservuese-restauruese, ku në mungesë të argumentimit të saktë të pjesës hulumtuese, edhe ofrimi i zgjidhjes për restaurim/konservim mbetet i mbështetur në hipoteza, e cila përpos metodës së krahasimit, është dashur të ndërtohet edhe në bazë të dhënave të shkruara për vetë ndërtesën e Hamamit të Madh të Prishtinës, fotografive të mëparshme, hartave, skicave, raporteve, e dokumenteve tjera arkivore”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Ondozi për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shtuar se në mungesë të dëshmive të gjendjes burimore edhe pas hulumtimit, “projekti i konservimit dhe qasja e restaurimit apo kthimit të monumentit në një periudhe të caktuar kohore, duke i zhbërë elementet tjera që janë shtresëzuar brenda pesë shekujsh, si dhe duke vendosur elemente të reja, nuk mund të hartohet mbështetur vetëm në hipoteza.”