fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Analistët kërkojnë qasje të re në dialog

Publikuar

Analistët politikë thonë për Radion Evropa e Lirë se dialogu nuk ka alternativë, por e vlerësojnë të rëndësishme që qeveria e ardhshme të fokusohet në programin që e ka prezantuar në fushatë.

Politologu Ramush Tahiri beson se qeveria e re mund të sjellë më shumë substancë në dialog, pasi sipas tij, LVV-ja ka pasur “qasje origjinale në dialogun me Serbinë”.

“Është fakt se normalizimi i raporteve (politika zyrtare e BE-së), nuk mund të ndodh pa njohjen reciproke dhe pa u ditur subjektiviteti i palëve të cilat do t’i zbatojnë marrëveshjet. Me këtë koncept të ri, mendoj se Albin Kurti do të mund t’ia dalë dhe pres që dialogu të jetë më dinamik”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, që merret më hulumtime e raporte për proceset integruese të Kosovës, pret që qeveria e re të sjellë transparencë në procesin e dialogut. Ai përmend faktin se në programin e vetë, LVV-ja nuk e ka të përfshirë fare dialogun, por Shasha pret që kryeministri i ri të gjejë një pikë përbashkuese me pritjet e qytetarëve për jetë më cilësore dhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë për vazhdimin e dialogut.

“SHBA-ja dhe BE-ja e kanë të bërë të qartë që dialogu me Serbinë duhet të jetë njëri nga top prioritetet që ata e shohin për qeverinë e ardhshme. Por, për dhjetë vjet, qasja e njëjtë në dialog na ka sjell këtu ku jemi, ku nuk mund të krenohemi për sukses të jashtëzakonshëm. Prandaj, ia vlen që të provojmë një qasje të re sa i përket dialogut me Serbinë”, tha Shasha për REL.

Ai megjithatë beson se kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti e ka një dritare kohore për të mos u marr enkas me dialogun, pasi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të pritet marrëveshje në dialog, para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi në prill të vitit 2022.

“Është e rëndësishme që Qeveria Kurti gjatë kësaj kohe të merret me dialogun, por në aspektin diplomatik, nën radarin politik, në mënyrë që të përgatitet. Në këtë kontekst, zoti Kurti do të mund t’i paraqiste opinionit politik në Kosovë se cili është kompromisi që Kosova është e gatshme ta bëjë, për hir të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, shtoi Shasha.

Sipas tij, kompromisi më lehtë i pranueshëm do të ishte “eksplorimi i mundësive për një zbatim edhe më të mirë të Pakos së Ahtisarit dhe avancimit edhe të mëtutjeshëm të të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Politologu Ramush Tahiri thotë që çdo tendencë për të ofruar zgjidhje që e prek “shtetin qytetar” të Kosovës, do të prolongonte edhe më shumë arritjen e një marrëveshjeje në dialog.

LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, pritet që të formojë qeverinë e re bashkë me komunitetet joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe. Krijimi i qeverisë pritet të ndodhë pas konstituimit të kuvendit të ri, proces ky që kërkon paraprakisht certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. /tg/