fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Allabama kryen ekzekutimin e parë me gaz azoti

Publikuar

Allabama e ka ekzekutuar vrasësin e dënuar, Kenneth Eugene Smith me gaz azoti, duke shënuar herën e parë që përdoret ky lloj ndëshkimi në Shtetet e Bashkuara.

Smith, 58-vjeçar, i ka humbur dy apelet në Gjykatën Supreme dhe një gjykatë federale, teksa ka argumentuar se ekzekutimi është mizor dhe ndëshkim i pazakonshëm.

Më 2022, Allabama ka tentuar, por ka dështuar, që të ekzekutojë Smithin me injeksion vdekjeprurës.

Ai është dënuar më 1989 për vrasjen e porositur të Elizabeth Sennettit, e cila është organizuar për burrit të viktimës, atëbotë predikues fetar.

Sipas Qendrës së Informacionit për Dënimet me Vdekje, Smith është personi i parë që ka vdekur duke përdorur gaz azoti, në gjithë botën.

Allabama dhe dy shtete tjera brenda SHBA-së, e kanë miratuar përdorimin e hipoksisë së azotit si metodë alternative për ekzekutim, pasi ilaçet e përdorura në injeksionet vdekjeprurëse, janë duke u siguruar me vështirësi.

Pesë pjesëtarë të mediave janë transportuar me kamionetë në qendrën korrektuese për të qenë dëshmitarë të ekzekutimit.

“Sot Allabama e kthen njerëzimin një hap mbrapa”, është cituar të ketë thënë Smith, sipas dëshmitarëve.

“Faleminderit që më keni përkrahur. Ju dua të gjithëve”.

Pasi gazi është liruar në maskën e tij, Smith besohet se ka buzëqeshur, dhe ua ka shprehur dashurinë familjarëve të tij.

Dëshmitarët kanë thënë se ai e ka thithur gazin për dy deri në katër minuta dhe ka marrë frymë thellë për gati pesë minuta, para se të shpallej i vdekur.

Kontakti me azotin, pa oksigjen, shkatërron qelizat në trup dhe për pasojë një njeri vdes.

Guvernatorja e Allabamas, Kay Ivey, e cila nuk i është përgjigjur kërkesës për të parë ekzekutimin, e ka konfirmuar vdekjen e Smithit, përmes një deklarate.

“Pas më shumë se 30 vjetësh tentime për të luajtur me sistemin, Smith ka marrë përgjigje për krimet e tij të tmerrshme”, ka thënë ajo.

Smith ka qenë një prej dy burrave të dënuar për vrasjen e zonjës Sennet, në vrasjen e porositur për 1.000 dollarë.

Burri i saj Charles Sennett, e ka orkestruar skemën e vrasjes, për të fituar para prej sigurimit shëndetësor.

Ai më pas e ka vrarë veten, pas përfundimit të hetimeve.

I dënuari tjetër bashkë me Smithin, John Forrest Parker, është ekzekutuar më 2010.

Përgjatë gjykimit, Smith e ka pranuar se ka qenë prezent kur është vrarë viktima, por që ai nuk ka marrë pjesë në sulm.

Ekzekutimet me azot janë dënuar prej disa profesionistëve shëndetësorë, të cilët kanë paralajmëruar se përgjatë procesit mund të shkaktohen dëme të mëdha dhe se ekziston rreziku që një person të mbijetojë, por të mbetet të komë të përhershme.

Javën e kaluar, Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka bërë thirrje për ndalje të ekzekutimeve, duke thënë se vrasja e Smithit me azot, mund të përbëjë torturë apo mizori tjetër, sipas ligjit ndërkombëtar për të drejta të njeriut.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook