Lajme
AKA: vazhdon procesi i akreditimit të institucioneve dhe programeve akademike

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka njoftuar të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës se vazhdon procesi i vlerësimeve të akreditimit institucional dhe programeve akademike.
AKA ka bërë të ditur se dorëheqjet e fundit nga KShC-ja, për fazën aktuale, nuk kanë ndikim në mbarëvajtjen e punëve të Agjencisë së Akreditimit.
“Agjencia e Kosovës për Akreditim shpreson që institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, konform kornizës ligjore, do të kontribuojnë në plotësimin e vendeve të parapara për anëtarë ndërkombëtarë të KShC-së, me çka do të kthehet edhe funksionaliteti i plotë i KShC-së”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe anëtarët e KShC-së, i falënderojnë institucionet vendore e ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, për përkrahjen e vazhdueshme që po japin në funksion të garantimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe në plotësimin e kritereve për kthimin e Kosovës në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
