fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

AGK e KMShK dënojnë ashpër Qeverinë për ndryshimet në projektligjin për KPM-në

Publikuar

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë menjëherë prej ndryshimeve në projektligjin që parasheh rregullimin e mediave online.

I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria në fund të vitit të kaluar dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Ky hap i ekzekutivit është konsideruar “përpjekje e re e Qeverisë aktuale që t’i sulmojë mediat”.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka thënë se dokumenti i miratuar nga Qeveria është bërë publik në faqen e kryeministrisë, vetëm pas kërkesës për të pasur qasje në të.

Ajo ka thënë që nëse këto ndryshime miratohen, do të ndryshojë në mënyrë radikale mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video – prej vetërregullimit në rregullim shtetëror.

Sipas saj, ndryshimet detyrojnë mediat online që t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

“Secila media online, që dëshiron të publikojë video, do të duhej të aplikonte për leje te Komisioni i Pavarur për Media, nëse projektligji miratohet”, ka thënë ajo.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Kusari ka thënë se nuk qëndron arsyetimi i Qeverisë për ndryshimet, me qëllim të përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, pasi, sipas saj, ndryshimet janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës.

Në mesin e ndryshimeve kryesore, ajo ka përmendur: licencimin dhe kontrollimin e mediave online prej KPM-së, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të hapin kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit, mediat duhet të marrin leje prej KPM-së në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10 për qind, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet eventuale.

Mes tjerash, parashihet që KPM-ja t’i ketë 11 anëtarë, nga shtatë sa i ka aktualisht.

“Iniciativa ligjore e Zyrës së Kryeministrit është iniciativë për t’i kontrolluar mediat online përmes licencimit dhe është sulmi i radhës ndaj mediave”, ka vlerësuar Kusari.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka kërkuar që të vazhdohet me vetërregullim të mediave dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimit të mediave.

Kryetari i KMShK-së, Imer Mushkolaj, ka thënë se aktualisht në Kosovë ekzistojnë organizata dhe kornizë e mjaftueshme ligjore që të adresohen të gjitha shqetësimet për përmbajtjen në media.

Lajmi po përditësohet.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook