fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Abdixhiku: Qeveria e paaftë për të krijuar zgjidhje

Kriza e sotme energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj. Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot.

Publikuar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot se kriza energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj, ndërsa në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, kryeministri Albin Kurti krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekonomik që Kosova me të po e përjetonte.

Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se paralajmërimet për krizën energjetike nuk ishin dëgjuar, ndërsa për paaftësinë e tyre Qeveria fajësohen qytetarët tanë.

Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:

“Një krizë e paralajmëruar;

Një Qeveri e paaftë, tallëse dhe e vonuar.

Kriza e sotme energjetike është paralajmëruar tash e pesë muaj. Në mot të ngrohtë, institucionet energjetike, ekspertët e brendshëm e të jashtëm pa dallim, kishin rekomanduar kontraktimin e energjisë elektrike përderisa çmimet ishin të lira; pesëfish më të lira se sa çfarë blejmë si shtet sot. Në atë kohë rekomandoheshin dhe revitalizimet e blloqeve, subvencionimet e operatorëve, organizmi i prodhimit e  planet kursyese si parapërgatitje për dimrin e ftohtë.

Këto paralajmërime nuk ishin dëgjuar. Në kohën kur vendet e rajonit bënin garë për blerjen e energjisë elektrike me çmim më të lirë, Kryeministri ynë krekosej nëpër qendra rajonale e evropiane me narracione fiktive për zhvillimin të pashembullt ekonomik që Kosova me të po e përjetonte.

Sot, zhvillimi i pashembullt ekonomik i tij është pa rrymë!

Tani kë do të fajësojnë për këtë krizë? Një Qeveri që i ka krejt; i ka dhe njerëzit e vet të vendosur së fundmi në KEK e në çdo institucion tjetër energjetik, nuk arrin të sigurojë as një produkt bazik në këtë zhvillim të pashembullt ekonomik.

Për paaftësinë e tyre do të fajësohen qytetarët tanë. Për shpenzimin e energjisë në “joystick”, “larje të dhëmbëve me ujë të ngrohtë”, e për vet çmimin e lirë të energjisë. Tani edhe çmimi i energjisë na u bë i lirë. Kjo parahyrje e tyre është paralajmërim për shtrenjtimin e radhës që do t’i bëjnë. Por as shtrenjtimi i rrymës e as rekomandimet tallëse për kursim nuk do ta kapërcejnë ketë krizë që sapo ka nisë.

Sepse reagimi është i vonshëm. Sepse s’dinë!

Kosova po futet në një dimër të reduktimeve, mungesës së ngrohjes, uljes së prodhimit të bizneseve e paaftësisë qeverisëse për t’i prirë problemeve me kohë; një praktikë tanimë e zakonshme për ta. Sot intervenimet e Qeverisë janë të vonshme; sepse janë të vonshme janë dhe të shtrenjta; e sepse janë të shtrenjta janë dhe pa zgjidhje.

Kjo Qeveri, e aftë për të krijuar konflikte, është e paaftë për të krijuar zgjidhje. Qeverisja para së gjithash është menaxhim dhe përgjegjësi. Gjuetia e fajësimit ndaj të shkuarës as nuk i mbanë dritat e ndezura as shtëpitë familjare të ngrohura”. /Telegrafi/