fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

5 vite MSA, përshtypja e gabuar e Kosovës për qëllimin e kësaj marrëveshjeje

Nga ky mos angazhim dhe ky mos përkushtim, Vasolli thotë se nganjëherë ke përshtypje që qëllimi i MSA-së dhe reformave të nevojshme ishte për të bërë BE-në me funksionale dhe vend më të mirë për të jetuar e vepruar, e jo Kosovën.

Publikuar

Në ditën kur Kosova shënoi gjysme dekade prej momentin që si partner i barabartë nënshkroi më Bashkimin Evropian, Marrëveshje e Stabilizim Asociimit, Besnik Vasolli, njohës i çështjeve të integrimit mendon së edhe pesë vite më vonë Kosova është ende në pikën fillestare të zbatimit të MSA, por edhe të korrjes se të mirave që vijnë nga kjo marrëveshje.

“Hartuam plane e përtej planeve, angazhuam koordinator të koordinatorëve, punësuam zyrtarë në të gjitha dikasteret, deri tek niveli komunal, trajnuam e zhvilluam kapacitete, investuam kohë e fonde të panumërta, edhe pesë vite më vonë jemi ende në pikën fillestare. Nuk shfrytëzuam tregun e mbi 450 milionë banorëve dhe më së keqi nuk përmirësuam jetën në Kosovë”, thotë Vasolli në një intervistë për Tipografin.

Vasolli thotë se krerët e institucioneve shtetërorë në këto 5 vite nuk i bën detyrat e shtëpisë. “Nuk aplikuam për status të kandidatit e as nuk arritën të eksportojmë apo të arrijmë kuotat e parapara dhe tashmë të negociuara”, thekson ai.

Nga ky mos angazhim dhe ky mos përkushtim, Vasolli thotë se nganjëherë ke përshtypje që qëllimi i MSA-së dhe reformave të nevojshme ishte për të bërë BE-në me funksionale dhe vend më të mirë për të jetuar e vepruar, e jo Kosovën.

MSA, mendon Vasolli na ka bërë të kuptojmë gjithashtu se si vend nuk kemi kapacitete njerëzore por në të njëjtën kohë na e ka qit në pah mungesën e përkushtimit.
Megjithatë Vasolli mendon së një gjë e mirë ka ndodhur gjatë këtyre 5 viteve, ndonëse prap nuk është shfrytëzuar dhe promovuar sa duhet, e kjo është marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe BE-së, që kanë shënuar trend pozitivë.

“Ky është një proces strategjik dhe relacioni mes Kosovës dhe BE-së ka marrë përmasa të një partneriteti strategjik afatgjatë. Kjo ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe BE-së, por nuk është shfrytëzuar sa duhet, thekson ai

Por, pavarësisht gjendjes aktuale sa i përket përfitimeve që i sjellë MSA, Kosova mendon Vasolli shpejt duhet të përqendrohet në zbatimin e Agjendës për Reformën Evropiane, e në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë të fokusohet në zbatimin e kritereve konkrete. Duhet fokusuar tek përafrimi i legjislacionit. Të kërkojë zbatimin e strategjisë legjislative. Ndërsa institucionet përgjegjëse për sundim të ligjit duhet të jenë më efikas në mbarimin e hetimeve, ngritjen e padive, gjykimeve fuqiplota, konfiskimit të pasurisë e deri tek kompensimi i viktimave

Intervista e plotë:

Tipografi: 5 vjetori i MSA. Ku është Kosova sa i përket zbatimit të saj?

Besnik Vasolli: 5 vjetori i zbatimit të MSA-së len shumë për të dëshiruar. Reformat që pritej të ndërmerreshin nuk u ndërmorën. Ligjet dhe dokumentet strategjike relevante për këto reforma nuk u hartuan, po edhe ato pak që u hartuan nuk janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së.
Nëse i analizojmë reformat kryesore, të cilat do duhej shtyrë këtë proces përpara vërehet neglizhence dhe parregullsi të shumta, të marrim p.sh.:
– Reforma Administrata publike lënë shumë për të dëshiruar. Pas tërë atyre skemave profesionale të shkollimit e trajnimit, ne shohim shumë pak zhvillim të kapaciteteve njerëzore për të zbatuar MSA-në. Në fakt disa nga zyrtarët më mirë të përgatitur përfunduan ose me aktakuza ose u përbuzën nga institucionet tona tash e sa vite. E ata tjerët që përfituan nga trajnimet e shumta, si me mjete të donatorëve, ashtu edhe me fonde të qeverisë nuk treguan ndonjë sukses mbresëlënës.

-Sundimi i ligjit ka deficienca të shumta. Mungon vizioni se çfarë sistemi me të vërtet jemi duke e ndërtuar. Nuk ka iniciativë dhe është i deformuar përtej riparimit. Prokuroria e Gjykatat e deri diku edhe agjencitë tjera për zbatim të ligjit janë aq të dobëta, sa që është sfiduese që vetingu do të arrijë të ndryshojë gjendjen, së paku jo në një aspekt afatmesëm.

– Zhvillimi Ekonomik, edhe ashtu para pandemisë i mangët, ka probleme të mëdha strukturore. Nuk ka kornizë të mirëfilltë ligjore dhe institucionale, e nuk ka një strategji të mirë zhvillimore, e cila do identifikonte sektorët premtues që mund të shtyjnë zhvillimin përpara. E me një sektorë privat të ngulfatur nga tatimet e doganat nuk mund të presim shumë.

– Mos të hyjmë të Mbrojtja e Ambientit, Energjia, Arsimi, Shëndetësia, Kultura etj. të cilat asnjëherë nuk morën kujdesin e nevojshëm për të i vendosë një herë e përgjithmonë në binarë siç duhet dhe siç pritet si nga shoqëria kosovare.

– E fundit por jo më pak e rëndësishmja, Agjenda e Reformës Evropiane, që në vete është prioritizim i MSA-së nuk u zbatua në nivel të kënaqshëm tash e sa vite. Nganjëherë ke përshtypje që qëllimi i MSA-së dhe reformave të nevojshme ishte për të bërë BE-në me funksional dhe vend më të mirë për të jetuar e vepruar, e jo Kosovën. Thua që zbatimin e kritereve e bënim për hatër të ndërkombëtarëve e jo për të përmirësuar sundimin e ligjin në Kosovë, apo zhvillimin ekonomik, apo të përmirësonim ujin që e pimë apo ajrin që e marrim ne dhe të gjithë tjerët që jetojnë në Kosovë.

Pra të gjitha këto reforma që duhej adresuar përmes veprimeve konkrete e që priteshin të zbatohen në kuadër të MSA-së nuk gjetën zbatim. Hartuam plane e përtej planeve, angazhuam koordinator të koordinatorëve, punësuam zyrtarë në të gjitha dikasteret, deri tek niveli komunal, trajnuam e zhvilluam kapacitete, investuam kohë e fonde të panumërta edhe pesë vite më vonë jemi ende në pikën fillestare. Nuk bëmë detyrat e shtëpisë, nuk aplikuam për status të kandidatit e as nuk arritëm të eksportojmë apo të arrijmë kuotat e parapara dhe tashmë të negociuara.

“Nganjëherë ke përshtypje që qëllimi i MSA-së dhe reformave të nevojshme ishte për të bërë BE-në me funksional dhe vend më të mirë për të jetuar e vepruar, e jo Kosovën”

Tipografi: Nëse e bëjmë një rekapitullim të gjithë këtyre viteve, çfarë ka përfituar Kosova nga MSA?

Besnik Vasolli: Kosova nga mos zbatimi humbi shumë, Nuk arriti të plasoj mallin e vet në BE. Nuk përfituam nga kushtet preferenciale që i morri Kosova në eksportin e mallrave dhe shërbimeve në BE-së. Nuk shfrytëzuam tregun e mbi 450 milionë banorëve dhe më së keqi nuk përmirësuam jetën në Kosovë.
Varfëria vazhdon të jetë në nivel të njëjtë, papunësia po ashtu, deficiti tregtarë shkon duke u rritë. Borxhi i jashtëm por edhe i brendshëm është në rritje. Kemi ikje të trurit e zvogëlim të investimeve të huaja. Imazh të keq e kriminalitet në rritje, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Degradim të shërbimeve dhe administratës. Stagnim në bashkëpunimin ndërkombëtarë dhe rajonal, rritje të kostos të jetës e kështu me radhë. Pra jo që nuk përfituam por humbëm.

“Nuk shfrytëzuam tregun e mbi 450 milionë banorëve dhe më së keqi nuk përmirësuam jetën në Kosovë”.

Tipografi: Ne rrugëtimin e saj drejt BE, çfarë sfidash ka identifikuar MSA?

Besnik Vasolli: Një ndër sfidat kryesore që ka dal në shesh është mungesa e sundimit të ligjit. Këtu fjalën, nuk e kam vetëm të drejtësia, por tek i tërë sistemi. Kemi raste konkretë kur zyrtarë të shquar, mirë të përgatitur ndërkombëtarisht bëjnë shkelje ligjore, nuk zbatojnë procedura të duhura dhe nuk respektojnë administratën publike.
Kemi kuptuar gjithashtu që s’kemi kapacitete njerëzore por edhe mungesë të përkushtimit. Rruga drejt BE-së kalon nëpër të gjitha strukturat e nivelit qendror dhe komunal, dhe nëse ato s’janë gati për të ndërmarrë veprimet e nevojshme atëherë rrugëtimi jonë do të vetë-numëron, pra s’do të shkojmë askund.

“Kemi kuptuar gjithashtu që s’kemi kapacitete njerëzore por edhe mungesë të përkushtimit”

Tipografi: Sa ka ndikuar MSA në raportet politike në mes të bllokut dhe Kosovës?

Besnik Vasolli: BE përmes MSA-së ka konfirmuar qëndrimin që Kosova është vend që ka perspektivë Evropiane, por duhet zbatuar disa kriter, të cilat nuk janë aspak të lehta dhe aspak të shpejta. Pra në parim ky është një proces strategjik dhe relacioni mes Kosovës dhe BE-së ka marrë përmasa të një partneriteti strategjik afatgjatë. Kjo ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe BE-së por nuk është shfrytëzuar sa duhet.

“Relacioni mes Kosovës dhe BE-së ka marrë përmasa të një partneriteti strategjik afatgjatë. Kjo ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe BE-së, por nuk është shfrytëzuar sa duhet”

Tipografi: Në cilat pika të MSA janë vërejtur mese shumti vështirësi ne zbatim nga ana e palës kosovare

Besnik Vasolli: Sa i përket aspektit politik, sfidë më e madhe për Kosovën është sundimi i ligjit dhe reforma e administratës publike, jo që janë shumë komplekse por më shumë që s’kishte një vullnet politik për t’i ndërmarrë këto reforma.
Ndërsa sa i përket aspektit teknik, sfidë për Kosovën ka dalë të jetë përafrimi me Acquis communitaire, posaçërisht tek standardet evropian.

Tipografi: Ku duhet të fokusohet Kosova në vitet në vijim në kontekstin e zbatimit të MSA?

Besnik Vasolli: Ekzekutivi në aspektin afatshkurtër duhet të përqendrohet në zbatimin e Agjendës për Reformën Evropiane, e në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë të fokusohet në zbatimin e kritereve konkrete, që e rrisin konkurrueshmërine e ekonomisë vendore dhe që e ndihmojnë eksportin e mallrave nga Kosova në BE dhe gjetiu.

Legjislativi? Duhet fokusuar tek përafrimi i legjislacionit. Të kërkojë zbatimin e strategjisë legjislative dhe të bëjë mbikëqyrjen e qeverisë në zbatimin e këtyre reformave.

Ndërsa institucionet përgjegjëse për sundim të ligjit duhet të jenë më efikas në mbarimin e hetimeve, ngritjen e padive, gjykimeve fuqiplota, konfiskimit të pasurisë e deri tek kompensimi i viktimave. Shoqëria civile të ndihmojë kudo që ka nevojë por edhe të monitorojë zbatimin e kritereve.

Mediat të profilizojnë gazetarët e tyre dhe të kërkojnë mbulues mëri më të detajuar dhe monitorim të rregullta të zbatimit të MSA-së ERA-së (Agjenda për Reformën Evropiane), të gjeturave nga raporti i vendit e kështu me radhë. Ndërsa, qytetarët të përkrahin apo ndëshkojnë ata që zbatojnë ose nuk zbatojnë mjaftueshëm këto kritere.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021