Lajme
47 vjet nga Kushtetuta e vitit 1974

Publicisti, Halil Matoshi ka risjelllë në kujtesë ditë e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, të vitit 1974, duke e konsideruar këtë ditë, si fillim të ndertimit konstitucional të Kosovës.
Postimi i plotë:
Ndertimi konstitucional i Kosoves: 47 vjet nga Kushtetuta e vitit 1974
1.
Para 47 vjetësh, me 28 shkurt 1974 asht miratue Kushtetuta e Krahines Autonome të Kosovës e cila politikisht dhe juridikisht e kishte avancue pozitën e shqiptarëve kosovarë në subjekt të federalizmit jugosllav, me të drejtën e vetos për çështjet që preknin interesat e saj vitale.
Sëkëndejmi Krahinat Autonome (Kosova e Vojvodina) ishin dy entitete të barbarta me Republikat por që nuk e kishin të drejtën për shkëputje!
Kryetar i Komisionit qe e kishte pergatit debatin publik ishte Fadil Hoxha, ndersa me 1974 kur u miratu Kushtetuta, Kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Ilaz Kurteshi.
2.
Kjo Kushtetutë asht dokumenti i parë politik-juridik, që shqiptarët kosovarë i barazonte me kombet tjera të ish federatës jugosllave, ndonëse kishte një gjuhë ambiguitative: Sanksiononte Kosovën në përbërje të Serbisë por edhe subjekt konstituitiv të federalizmit Jugosllav.
3.
Janë dy elemente me fuqi juridike që Kosovën e përafronin me Republikat tjera jugosllave:
* Elementi i parë i fuqishëm ishte se Kushtetuta e vitit 1974 i kishte siguru Kosovës të drejtën e vetos në organet shtetërore federale, në Kuvendin federativ dhe në Kryesinë e shtetit – përsa u përket çashtjeve të interesit vital – si territori, simbolet, gjuha – por edhe në prerrogativa tjerë, si përfaqësimi në organet shtetërore.
* Dhe i dyti. Kosova nuk trajtohej ma si pjesë integrale e Serbisë – integralni deo – (në aspektin territorial dhe të organizimit politik) porse si pjesë e bashkëngjitun – në përbërje (u sastavu).
4.
Kushtetutës së Kosovës (1974) i parapriu shpallja e asaj federale.
Me 21 Shkurt 1974, Kuvendi federal në Beograd miratoi Kushtetutën e Republikës Federative Socialuste të Jugosllavisë, që sociologu zagrebas Žarko Puhovski e quante metaforikusht Ikebana – Kushtetutë (mënyrë japoneze e kultivimit të luleve);
Vendimin e kishte shpallë Kryetari i Këshillit Popullor Mika Špiljak, e para tij Edvard Kardelj (kryesues i komisionit për hartimin e tekstit të Kushtetutës) e arsyetoi atë.
5.
Kushtetuta federale, për shembull, si nocion qendror e ka trajtuar termin ‘narodnost’ =kombësi, (që në shqip nuk defton dallueshmëni nga fjala komb) term i krijuar që me Amandamentet e Kshnellave, 1968, duke e veçuar nga nocioni nacionalitet, si zëvendësim të direktivës për sintagmen pakicë kombëtare.
Për t’mos i fye pjesëtarët e pakicave duke ua pērmendur statusin e tyre, është menduar një term i ri, krejtësisht i panjohur në botë, pos Jugosllavisë, pra ai që në thelb është zvogëlim i kombit në kuptimin lingual, në kombësi.
Për këtë, Puhovski tregon se si përmendja rituale e kombeve dhe kombësive në të gjitha dokumentet zyrtare, ishte kthyer një shaka popullore përqeshëse duke përdorur përkthimin “anglisht”: “piplz end pipalitiz”). Në realitet, kombësitë ishin pothuajse-popuj, ashtu si provincat ishin gati-republika.
