fbpx
Lidhu me Ne!

Tipografi

2020 viti më i ngrohtë në Evropë

Studimi po ashtu zbuloi që edhe stinët më të freskëta, si vjeshta dhe dimri u karakterizuan nga temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.

Publikuar

Viti i kaluar ishte më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë në Evropë, sipas një agjencie shkencore evropiane. Një raport i ri tregon se temperatura mesatare ishte 1.6 gradë Celcius më e lartë krahasuar me mesataret e regjistruara gjatë viteve në kontinent. 2020 ishte viti më i nxehtë që ka regjistruar ndonjëherë Evropa, sipas një raporti të ri.

Agjencia shkencore “Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike” raporton se viti 2020 ishte 1.6 gradë Celcius më i nxehtë se mesatarja e temperaturave të regjistruara në Evropë dhe të paktën 0.4 gradë Celcius më i nxehtë se pesë vitet me temperaturat më të larta të kontinentit evropian në histori.

Agjencia ka në arkivat e saj temperaturat e kontinentit të regjistruara që nga viti 1950. Por, sipas këtij institucioni, temeraturat e vitit 2020 janë krahasuar me të dhënat ekzistuese të mbedhura që nga viti 1850.

Raporti del ndërkohë që udhëheqësit botërorë diskutojnë planet për të luftuar ngrohjen globale në takimin e organizuar nga Shtetet e Bashkuara mbi ndryshimet klimatike. Përfundimet e këtij dokumenti janë një kujtesë e zymtë nga shkencëtarët mbi ritmet e përshpejtuara të ngrohjes së planetit dhe kërcënimin që përbëjnë temperaturat e larta për shumë aspekte të jetës në Tokë.

Studimi po ashtu zbuloi që edhe stinët më të freskëta, si vjeshta dhe dimri u karakterizuan nga temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.

Shkencëtarët e konsiderojnë si “veçanërisht të rëndësishme” rritjen e temperaturave gjatë dimrit me mbi 3.4 gradë Celcius krahasuar me mesataren e periudhës 1981-2020 dhe 1.4 gradë më lart se mesatarja e dimrave më të ngrohtë deri vjet.

Stina e vjeshtës vjet në Evropë ishte po ashtu më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në këtë kontinent. Megjithëse pati ditë me temperatura të larta rekord gjatë verës, si episodet e regjistruara në vendet skandinave apo në Francë, thuhet në raport, këto episode nuk ishin aq të gjata e të vazhdueshme sa vala e të ngrohtit gjatë vjeshtës.

Ndërkaq, zona e Arktikut përjetoi një “vit spetakolar” shprehet një ndër shkencëtaret e agjencisë. Ajo sjell si shembull zjarret masive në pjesën e Siberisë që shtrihet brenda Rrethit Arktik, pjesërisht pasojë e valës së të nxehtit dhe e rreshjeve më të pakta të dëborës. Siberia Arktike theu gjithashtu rekordet me një rritje prej 4.3 gradë Celcius të temperaturës mesatare vjet, krahasuar me temperaturat mesatare të peridhës 1981-2020.

Sipas “Shërbimit të Kopernikut për Ndryshimet Klimatike” në shkallë globale 2020 ishte një ndër tre vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, duke konfirmuar përfundimet e Organizatës Meteorologjike Botërore.

“Shërbimi i Kopernikut për Ndryshimet Klimatike” është një agjenci e Bashkimit Evropian që ofron informacion mbi ndryshimet klimatike në Evropë gjatë rrjedhës së viteve.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021