fbpx
Lidhu me Ne!

Rajon

Etniteti në letërnjoftim – po ose jo?

Publikuar

Në Maqedoninë e Veriut po diskutohet shënimi i përkatësisë etnike në letërnjoftim. Partitë shqiptare në përgjithësi e mbështesin këtë propozim të iniciuar nga Lëvizja Besa.

Lëvizja Besa ka propozuar ndryshimin e ligjit për letërnjoftim, me të cilin do të mundësohet që në letërnjoftime të ekzistojë shënimi i etnisë në mënyrë që krahas shtetësisë, qytetari të mund të deklarojë edhe përkatësin e tij etnike. Lëvizja Besa këtë ide e ka bazuar në marrëveshjen që kishte me LSDM e kryeministrit Zoran Zaev që të jetë pjesë e koalicionit qeveritar. Nga Lëvizja Besa thonë, se propozimi i saj nuk cënon asnjë etnitet tjetër, në veçanti maqedonasit.

“Realizimi i kësaj iniciative nuk dëmton asnjë subjekt politik dhe etnik. Propozimi është thjesht një realitet shoqëror që Maqedonia e Veriut e ka si një vend shumëetnik”, vlerëson Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa. Propozimin e saj e kanë mbështetur edhe partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë.

Partia më e madhe maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE nuk është kundër propozimit që në dokumentin personal të përcaktohet etnia, por kërkon që kjo të vlejë edhe për maqedonasit, të cilët sipas opozitës, në kategorinë e përkatësisë etnike të mund të deklarohen si “maqedonas”, gjë që nuk parashihet në propozimin e Lëvizjes-Besa.

Partia opozitare maqedonase “E Majta” përcaktimin etnik në letërnjoftim e konsideron si nxitës të tensioneve ndëretnike.Sipas deputetit nga rradhët “E Majta” Branisllav Krmov në shumë pak vende të botës në letërnjoftim qëndron edhe përkatësia etnike. Ndaj kjo parti ka ndërhyrë me 1200 amendamende për të penguar miratimin e ligjit.

Profesori i universitetit të Shkupit Ferid Muhiq vlerëson se ekzistimi i shënimit për etninë e qytetarit në letërnjoftim është një ide e gabuar dhe si e tillë nuk duhet të përkrahet. Kjo sipas tij do të gjenerojë ndarje të reja në shoqëri.

“Në letërnjoftim duhet të ekzistojë vetëm formulimi-qytetar i Maqedonisë së Veriut, kjo mjafton. Pse ka nevojë kur më ndalon polici në automjet ta dijë se a jam unë shqiptar, maqedonas, boshnjak apo serb. Në letërnjoftim ekziston numri i amzës së qytetarit dhe kjo është e mjaftueshme “, thotë Ferid Muhiq.(DW)

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021