fbpx
Lidhu me Ne!

Shëndeti

“1 Tetori”, qendër për vaksinim

Mjafton 24 orë më herët të dihet kur arrijnë vaksinat dhe salla për disa orë mund të jetë gati sepse janë ndarë detyrat kush çka bënë.

Publikuar

Autoritet kompetente kanë përgatitur sallën “1 Tetori” në Prishtinë, që të shfrytëzohet si qendër e vaksinimit.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, më 22 mars kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “me drejtuesit e Qendrës së Studentëve, Ministria e Shëndetësisë është marrë vesh për detajet dhe mjafton 24 orë më herët të dihet kur arrijnë vaksinat dhe salla për disa orë mund të jetë gati sepse janë ndarë detyrat kush çka bënë”, thuhet në përgjigje.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër koronavirusit.

Në mungesë të vaksinës, Shqipëria deri më tani ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas.

Monitorizimi i imunizimit

Për monitorimin e imunizimit, sipas Planit shtetëror për vaksinim, do të krijohet një modul i veçantë për vaksinimin kundër COVID-19 që do të integrohet në ueb-aplikacionin e Sistemit të informimit Shëndetësor (SISH). Në këtë modul, do të futen të dhënat personale të personave që marrin vaksinën. Ueb-aplikacioni është i lidhur me regjistrin civil, i cili lejon nxjerrjen e të dhënave të sakta personale të secilit person (emri, mbiemri, data e lindjes, adresa, etj.) duke e shkruar vetëm numrin personal.

Futja e të dhënave për vaksinimin kundër COVID-19 do të kryhet në kohë reale nga profesionistë shëndetësorë në kohën e marrjes së vaksinës, thuhet në Planin e vaksinimit.

Kjo, sipas autoriteteve, do të bëjë të mundur raportimin mbi statusin e procesit të vaksinimit, bazuar në tregues të ndryshëm, të tillë si popullsia totale e vaksinuar, numri i njerëzve të vaksinuar të ndarë sipas moshës, gjinisë, komunës, etj.